Analizat e personave të hospitalizuar nga Simnica e Gostivarit në Klinikën për sëmundje infektive, janë negative. Shtatë banorët e Simnicës të cilët kanë qëndruar për disa ditë me radhë në spital lëshohen në shtëpi për shkak se rezultatet kanë treguar se nuk janë të infektuar me virusin “Hantan”, nga i cili vdiqën dy persona nga po i njëjti fshat. Ndërkaq është një person tjetër me simptoma të tjera, por banor i fshatit Simnicë ka kërkuar ndihmë mjekësore nga frika e virusit. I njëjti është hospitalizuar dhe do të mbahet nën mbikëqyrje.
U hospitalizuan gjithsej tetë pacientë të fshatit Simnicë tek të cilët kishte frikë se mos ekzistojnë simptome që iu përkasin etheve hemorragjike Han Tan, të gjithë pacientët janë në gjendje normale dhe stabile. Dua të them se vetëm tek një pacient është shënuar titri I cili është kufitar por prej analizave të bëra doli se rezultatet janë negative edhe tek pacienti tetë. Të gjithë pacientët sot do të lëshohen në shtëpi përveç një pacienti që është pranuar dje nga Simnica dhe ka simptome më të theksuara në fyt, skuqje të fytit – dekalroi Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.
Drejtori i Klinikës për sëmundje infektive në Shkup Zvonko Milenoviq, konfirmoi se burim i sëmundjes janë minjtë.
Burim i sëmundjes janë brejtësit. Një grup i caktuar i minjve janë sjellës të një grupi të caktuar të viruseve që përbëjnë ethet hemorragjike. Kontakti me minjtë është njëra nga mënyrat e infektimit por gjithsesi edhe në mënyrë indirekte nga materiali aero termik që nënkupton nga banjat, nga urina e minjve të infektuar. Minjtë janë të infektuar por jo të sëmurë – tha Zvonko Milenoviq, Drejtor i Klinikës për Sëmundje Infektive.
Lidhur me zërat se Instituti i Shëndetit Publik nuk ka pasur reagens për analiza dhe se ata janë marrë nga Kosova ministri Taravari tha se këtij instituti i duhen më shumë mekanizma dhe vëmendje. Si pasojë e virusit Hantan, babë e birë nga Simnica e Gostivarit ndërruan jetë brenda 48 orëve, ndërsa shumë persona të tjerë kishin kërkuar ndihmë mjekësore me simptoma të njëjta.
Vjollca Aliti

