“Të gjitha përpjekjet për të manipuluar me Marrëveshjen e Prespës janë jashtëzakonisht të dëmshme për shtetin. Çdo përpjekje për revidimin ose anulimin e tij do të thotë konflikt i ri, veto e re, bllokada të reja me Greqinë me të cilën i tejkaluam çështje shumë-dekadash. Mënyra e këtillë e të menduarit do të thotë dëmtim dhe kërcënim për të ardhmen e shtetit dhe popullit tonë”, ka thënë Dane Taleski, këshilltar i kryeministrit, për politikë të jashtme dhe kandidat për ambasador i NATO-s në intervistë për “Makfaks”, transmeton Portalb.mk.
Sipas Taleskit, kur bëhet fjalë për interesat e vendit duhet të lihen anash interesat politike, etnike dhe të tjera dhe të mbetemi të përkushtuar në rrugën e perspektivës euro-atlantike në të cilën kanë investuar shumë gjenerata në të kaluarën.
“Pikërisht për shkak të Marrëveshjes së Prespës, shteti do të bëhet anëtarja e 30 e plotfuqishme e NATO-s dhe do të fitojë vendin e merituar që e pret me vite. Kjo është marrëveshje bilaterale, e cila parasheh obligime për të dyja shtetet. E dini që Greqia e para e ratifikoi protokollin për anëtarësim në NATO, që në fakt ishte obligim i saj nga marrëveshja. Edhe ne kemi obligim t’i respektojmë obligimet. Nuk dua as të mendoj për revidimin e saj, për shkak se mosrespektimin tërheq shumë çështje, kthimi i vendit mbrapa, krijim i armiqësive të reja. Në momentin kur jemi nisur në vijë përpjetë, mendime të këtilla nuk na duhen fare”, porositi Taleski.
Sipas Taleski, ratifikimi i fundit i Protokollit për anëtarësim në parlamentin spanjoll do të kalojë së shpejti dhe pa probleme me çka do të rrumbullakohet procedura e përgjithshme e vendit në aleancë.



