VMRO-DPMNE-ja nuk bënë të ditur se cilat kanë qenë kërkesat e Nikolla Gruevskit në takimin e mbrëmshëm tek presidenti Ivanov, bashkë me kryeministrin Zaev, kreun e BDI-së Ahmeti dhe kryeparlamentarin Xhaferi. Nga ana tjetër kryeministri Zaev tha se në takimin në Vodno me presidentin kanë biseduar për tejkalimin e ngërçit politik dhe zgjidhjen e kontestit me Greqinë.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë krijon kushte për mbështetje dhe ndërtim të një koncensusi nacional me të gjitha subjektet politike, me Presidentin e shtetit dhe me opozitën për përshpejtimin e integrimit të Maqedonisë në NATO. Për këtë arsye, mbrëmë deri në ora 3 ka zgjatur mbledhja në tentim për të dal nga kjo mikro-krizë e cila po zgjatë. Jemi të përkushtuar të gjejmë zgjedhje që ta tejkalojmë problemin me Greqinë lidhur me emrin. Besojmë që kjo është shumë e rëndësishme për tu zgjidhur, me qasje inkluzive, me krijimin e një atmosfere pozitive dhe me bashkëpunim me shtetin e Greqisë, shpresoj se do ta zgjidhim- deklaroi kryeministri Zoran Zaev.
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, nuk deshi të komentojë asgjë për takimin që pati mbrëmë në presidencën Villa Vodno.
Më lejoni që fillimisht të futem në seancën parlamentare- u përgjigj shkurt Ali Ahmeti, BDI.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili mori pjesë në takim tek presidenti Ivanov tha se palët janë dakorduar që të intensifikohen takimet deri në përmbushjen e reformave.
Gjithsesi, të gjithë liderët e partive politike kanë shqetësimin e tyre për zhvillimet e mëtutjeshme dhe të gjithë ndajnë mendimin se duhet të kenë komunikim të pandërprerë mes veti që të mund të jenë në frymën të rrugës reformuese të Republikës së Maqedonisë në të cilët po kalojmë ne tani- tha Kryetar i Parlamentit Talat Xhaferi.
Edhe Presidenca si nikoqire e këtij takimi, vlerëson se të gjitha palët e interesuara në shoqëri duhet të fokusohen në ndërtimin e konsensusit për një dialog kombëtarë, qëllim i të cilit është pajtimi dhe normalizimi i procesit politik si bazë për vazhdimin e prioriteteve reformuese në vend.
Besian Leka

