Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka mledhur liderët e Ballkanit Perëndimor në një takim joformal në Durrës. Prezent ishte edhe komisari i BE-së për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johanes Han. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ai i Kosovës Isa Mustafa,i Serbisë Ana Brnabiç, i Malit të Zi Dushko Markoviç, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Denis Zvizdiç dhe nikoqiri, kryeministri shqiptar Edi Rama, kanë biseduar për perspektivën euroatlantike të rajonit dhe mundësitë e përbashkëta të shteteve për zhvillim ekonomik. Kjo sipas përfundimeve të tyre, mund të bëhet nëpërmjet tregëtisë, investimeve, shërbimeve të ndryshme dhe ekonomisë dixhitale për çka është ftuar edhe zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendore, Cyril Muller.
Komisari Han kujtoi idenë e dalë nga samiti i fundit në Triestë për krijimin e një zone ekonomike rajonale, që është alternativa më e mirë për rritje ekonomike të rajonit. Ai bëri të ditur se gjatë dhjetë viteve të fundit eksportet tregtare të Ballkanit Perëndimor në Evropë janë rritur dhe shifra është rreth 46 miliardë euro, por shtoi se potenciali tregtar mes vendeve të Ballkanit nuk shfrytëzohet sa duhet.
JOHANES HAN, KOMISAR I BE-SË
“Siç e dini, në Triestë u dakorduam për krijimin e një zone ekonomike rajonale, dhe sot ne po diskutojmë se si ta zbatojmë këtë gjë pasi plani është diçka tjetër dhe zbatimi diçka tjetër dhe këtu gjithmonë ka dobësi në politikë…E shoh se BE paraqitet gjithmonë si një palë e cila vetëm kërkon diçka vazhdimisht. Kërkojmë zgjedhje të lira, reforma në gjyqësor, atë e këtë, dhe e shoh se qytetarët lodhen dhe kërkojnë fundin e kësaj pune…Gjithçka është në interes të qytetarëve, nuk bëhet fjalë vetëm për të kënaqur kërkesat tona si BE por për standardin tuaj jetësor”
Ndërkaq, kryeministri Edi Rama kujtoi homologët e tij se ekonomi dhe tregje të vogla si ato të Ballkanit Perëndimor nëse bëhen bashkë mund të bëhen shumë të rëndësishme.
EDI RAMA, KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË
“Ne jemi tregti dhe ekonomi e vogël, por nëse bashkohemi ne mund të bëhemi të rëndësishëm dhe me ekonomi më të madhe sigurisht për nevojat tona. Mendoj se kjo pjesë e procesit është thelbësore dhe ne do të jemi të fokusuar bashkë me kolegët, me ndihmën të BE-së, për ta arritur këtë qëllim për rritje të eksportit që është bllokuar për shkak të gjithë këtyre pengesave të çmendura burokratike dhe administrative”
Nikoqiri Rama tha se Ballkani Perëndimor tashmë ka filluar të marrë iniciativa vetanake si në aspekt politik ashtu edhe në aspekt zhvillimor dhe BE-ja është vetëm shikues aktiv i cili mund të japë sugjerime për përmirësime eventuale që kanë të bëjmë me integrimin në familjen e madhe evropiane. Kjo sipas tij më së miri dëshmohet sidomos me takimin e sotëm joformat në të cilin Han ishte thjeshtë mysafirë nderi, ndërsa planin ekonomik e bënin vetë shtetet e ballkanit. Komisioni Evropian në prag të takimit të kryeministrave megjithatë shprehu pritjet që Ballkani Perëndimor ti zbatojë obligimet për të cilat është zotuar gjatë samitit të korrikut në Triestë pasi kjo është në interes të qytetarëve. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

