Sot në zyrat e Aleancës për Shqiptarët në Shkup, kryetari i Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët z. Omer Ajdini, në cilësinë e nikoqirit bashkë me deputeten e ASH -së Artina Qazimi, pritën në takim zëvendës Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës, Robert Dekker.
Në takim u bisedua rreth problemeve me të cilat përballen të rinjtë në Maqedoninë e Veriut, përfaqësimin e të rinjve nëpër institucione shtetërore dhe aktivizmin rinor në përgjithësi.
Gjithashtu, ndër temat që u diskutuan bashkërisht ishte edhe skandali me librat shkollorë, gjuha e urrejtjes, ksenofobia dhe shtrembërimi i fakteve historike, siç ishte rasti i fundit me librin e Gjeografisë, për të cilin ne reaguam ashpër. Zv. Ambasadori Dekker u njoftua edhe për hapat që po ndërmerr ASH-ja në këtë drejtim, me qëllim të eliminimit të fenomeneve të këtilla.
Bashkërisht u dakorduam se ndryshimet në Maqedoninë e Veriut duhet të vijnë nga brenda dhe se procesi eurointegrues vetëm se do ta ndihmoj këtë proces të ndryshimit në aspekt të reformave gjithëpërfshirëse, si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, departizimin e institucioneve shtetërore, reformat në gjyqësor dhe shtetin e së drejtës, liria e mediave dhe migrimin e rinisë drejtë vendeve të BE, si një shqetësim dhe problem shumë i theksuar.
Morëm mbështetje nga Zv. Ambasadori në përpjekjet tona për të ndryshuar gjendjen, me qëllim të afrimit të vendit tonë me BE-në dhe bashkërisht u dakorduam për të vazhduar bashkëpunimin.
Me respekt,
ALEANCA PËR SHQIPTARËT




