Shkupi sonte është kryeqendra e etheve evropiane të futbollit. Stadiumi ynë më i madh, “Arena Filipi i Dytë”, do të jetë fushëbeteja e yjeve të Real Madridit dhe Mançester Junajted, në kërkim të trofeut të parë sezonal në stinorin 2017/18. Lokacionet më atraktive të Shkupit frekuentohen nga tifozë të shumtë të dy gjigandëve evropian, jo vetëm nga Spanja dhe Anglia, por nga katër anët e kontinentit të vjetër.
TIFOZ
”Unë mbështes Liverpulin. Vij nga Romania. Unë jam fans i Liverpulit. Dhe unë kam ardhur ta shoh Murinjon duke humbur, sepse nuk më pëlqen fare ai”.
TIFOZ
“Unë vij nga Greqia. Shkupi është qytet shumë i bukur. Ka shume vendë të mira për t’i vizituar”.
Kori anglez dhe spanjoll ka pushtuar prej mbrëmë Çarshinë e Vjetër dhe Qendrën e Shkupit, secili tabor duke lartësuar ngjyrat e tyre.
Tifozët e të dyja palëve presin që mijëra kilometrat e kaluara për ta parë ndeshjen, t’u shpërblehen me fitoren e ekipit të tyre. Ata shprehen mirënjohës për mikpritjen dhe organizimin në Shkup.
TIFOZ
“Unë kam ardhur për të mbështetur ekipin tim të zemrës Mançester Junajtedin. Atmosfera në Shkup është shumë e mirë. Shpresojë që gjithçka të kaloj sa mirë sonte”.TIFOZ
”Qytet i bukur. Më pëlqen mënyra se si është bërë organizimi i finales së Superkupës së Uefa-s dhe shpresoj që sonte të fitoj ekipi im i zemrës Mançester Junajtedi”.TIFOZ
“Qytet i bukur, organizimi shumë i mirë, njerëz të shoqërueshëm. Jemi shumë të lumtur për fatkin që jemi në Shkup”.
Sa i përket pjesës sportive, teoria e favorizon Real Madridin. Jo vetëm për shkak se vjen si fitues aktual i Ligës së Kampionëve, përballë fituesit të kompeticionit pak më modest si Liga Europa, por edhe për shkak të kalibrit të futbollistëve që mbrojnë ngjyrat madrilene. Problemi i vetëm i trajnerit Zidan është sulmi. Ronaldo vjen me vetëm pak stërvitje dhe nuk është e sigurt se do të luajë 90 minutat e Super Kupës. Edhe pjesëmarrja e Geret Bejl është në dyshim, pasi ylli nga Uellsi gjatë gjithë verës bëri titujt e gazetave, që e lidhnin atë me transferim pikërisht në rivalin e sotëm, anglezët e Mançesterit. Strategu i “djajve të kuq” nga ana tjetër vjen me ekipin e plotë.
Arma e Mançesterit pritet të jetë sulmi, pasi shpresat e anglezëve janë të përqendruara tek blerja e re 80 milionëshe Romelu Lukaku, si dhe talenti Rashford. Por, Zhoze Murinjo në konferencën e djeshme në Shkup hoqi presionin nga djelmoshat e tij, duke i lënë Realit rolin e favoritëve. Edhe bastoret favorizojnë “Los Blancos”, duke kuotuar fitoren e tyre me koeficientin 2.2. Çdo euro bast për fitoren e Mançesterit shpërblehet me 3.4, ndërsa barazimi mban kuotën 3.5.
Ndeshja do të jetë edhe afirmim i mirë për Shkupin, që si rrallë herë do të jetë në hartat e futbollit botëror. Mbi 300 kanale televizive në 220 shtete do të transmetojnë spektaklin nga Shkupi. Me mbi 500 milion teleshikues, ndeshja e sotme në kryeqendrën e Maqedonisë do të jetë një ngjarja e dytë sportive më e ndjekur ndonjëherë, pas Lojërave Olimpike në Rio de Zheneiro.
Për fatlumët që siguruar bileta, dyert e Arenës do të hapen nga ora 17.45, tre orë para fillimit të ndeshjes. Përballjes sportive do t’i paraprijë një spektakël ceremonial, detajet e së cilit mbahen të fshehta nga UEFA. Samir Sinani

