Në lidhje me incidentin me Boris Mutkovin, i njohur si Fantom, në drejtim të të cilit është gjuajtur mbrëmë me armë, derisa vozitej me automjetin e tij të markës “mercedes” në lagjen Bardovc, sipas njohurive të para, siç informon ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në pres-konferencën e sotme, bëhet fjalë për qërim hesapesh të grupeve kriminele.
“Këta janë njerëz të njohur për publikun për aktivitete kriminele. Por, po e lë hetimi të tregojë dhe t’i vërtetojë të gjitha faktet dhe të shihet se a ekziston ndonjë lidhje mes grupeve, ngjarjeve …, u përgjigj Spasovski në pyetjen e gazetarëve se a ka njohuri fillestare nëse ka lidhje ky sulm me atë që ndodhi ditë më parë në hotelin Aleksandar Pallas në Shkup.
Ministri Spasovski ka thënë se atë person e ka parë edhe në Parlament më 27 prill.
Përndryshe, Boris Mutkov ka qenë i dënuar me tetë muaj burg me kusht për sulmin në Parlament më 27 prill, për pjesëmarrje në turmë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Spasovski pohoi se njësiti “Alfa” sipas sistematizimit të ri gjegjësisht riorganizimit, po formohet si njësi speciale e ndërhyrjes duke ndjekur shembullin e më shumë vendeve evropiane, qëllimi përfundimtar i të cilëve është të ketë dukshmëri dhe aktivitet më të madh të njerëzve në terren.
“Për shndërrimin e njësive në rend publik dhe qetësi dhe të ‘Alfës’, bashkohet në një njësi ndërhyrjeje që do të punojë për të mbrojtur rendin publik dhe qetësinë si dhe sigurinë në Shkup”, tha Spasovski.



