Hyrje
Teksa po ecnin përgjatë korridorit të Shtëpisë e Bardhë ku ndodhet “Presidential Walk of Fame” e përbërë nga portretet e presidentëve amerikanë, Trump dhe udhëheqësi kinez, Xi Jingping u ndalën te vendi ku duhej të ishte imazhi i Joe Biden.
Në vend të fotos së Joe Biden, Trump kishte vendosur një kornizë me imazhin e një “Autopen”-i (një pajisje që riprodhon automatikisht nënshkrimet në dokumente zyrtare).
Trump i tregoi me gisht pajisjen dhe i tha udhëheqësit kinez: “Trump, pastaj përsëri Trump, dhe kjo këtu është ‘autopen’… ky është Biden”.
Tallja që Trump i bëri paraardhësit të tij në Shtëpinë e Bardhë u bë kryefjalë e mediave botërore.
Pa mbushur 24 orë, një tjetër politikan e vuri në shënjestër ish-presidentin Joe Biden. Ky ishte Edi Rama, e cila e akuzoi mikun e madh të shqiptarëve për “tradhti”.
Ndoshta është rastësi, por sulmi i Ramës ndaj Biden, u duk më shumë si servilosje. Si diçka për t’i bërë qejfin Trumpit.
Por, kush përfitoi nga kjo?!
Retrospektivë
Ka një pyetje që Edi Rama duhet t’i përgjigjet, a ka Shqipëria një politikë të jashtme të qëndrueshme ndaj SHBA, apo qëndrimet e tij ndryshojnë në varësi të asaj se kush ndodhet në Shtëpinë e Bardhë?
Historia e deklaratave të Ramës për presidentët amerikanë e bën këtë pyetje të pashmangshme.
Në 2016, kur Donald Trump ishte ende kandidat për president, Edi Rama doli në CNN dhe e cilësoi vizionin e tij si “frikësues”, duke thënë se një presidencë Trump do të dëmtonte Amerikën.
Madje, kur gazetari i CNN i kujtoi se ishte e pazakontë që një kryeministër i huaj të ndërhynte në zgjedhjet amerikane, Rama këmbënguli në qëndrimin e tij.
Trump fitoi.
Dhe menjëherë pas fitores, qëndrimi i Ramës ndryshoi. Në nëntor 2016 ai deklaronte se opinioni i tij për Trumpin “i përkiste së shkuarës” dhe se SHBA ishte aleat strategjik i pazëvendësueshëm i Shqipërisë.
Piruetat nuk ndaluan dhe në vijim pamë edhe një tjetër Rama.
Një Rama që fliste për nevojën që Europa të kuptonte realitetin e ri të krijuar nga Trumpi dhe që i njihte presidentit amerikan një rol në ndryshimet që po ndodhnin në marrëdhëniet transatlantike.
Pastaj Trump humbi zgjedhjet dhe në Shtëpinë e Bardhë erdhi Joe Biden. Edi Rama iu rikthye flirtit me demokratët e majtë, të majtët, Xhorxh Soros, Kamala Harris, etj.
Aktualiteti
Sot Trump është rikthyer në presidencën amerikane.
Dhe sot, Rama sulmon pikërisht Joe Bidenin, duke deklaruar se ish-presidenti amerikan “e tradhtoi” Hashim Thaçin dhe se SHBA nuk bëri atë që duhej për ish-presidentin e Kosovës. Deklarata u bë në një aktivitet të Këshillit për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane.
Nuk është çështja nëse Rama ka të drejtë apo jo për Thaçin.
Mund të ketë një debat serioz dhe legjitim për përgjegjësinë e administratave amerikane ndaj Kosovës dhe ish-krerëve të UÇK-së. Çështja është tjetër, pse të njëjtat raporte me Uashingtonin interpretohen kaq ndryshe në varësi të administratës që ndodhet në pushtet?
Një kryeministër shqiptar mund të ketë marrëdhënie të mira me demokratët dhe republikanët. Mund të kritikojë Trumpin kur është kandidat dhe të bashkëpunojë me të kur bëhet president. Mund të ketë marrëdhënie me Bidenin dhe njëkohësisht të kundërshtojë një vendim të administratës së tij. Kjo është pjesë normale e diplomacisë.
Por ajo që kërkon shpjegim publik është nëse këto ndryshime burojnë nga një strategji e qëndrueshme e interesit kombëtar apo nga nevoja nevoja dhe interesi personal i kryeministrit të Shqipërisë?
Interesi kombëtar duhet të jetë konstant.
Qëndrimet mund të ndryshojnë kur ndryshojnë rrethanat, por jo sa herë ndryshon presidenti amerikan.
Përndryshe, rrezikojmë që politika e jashtme të mos shihet më si instrument i interesit të Shqipërisë, por si instrument i interesit politik të atij që e drejton.
Dhe kjo është pyetja që Rama duhet t’i përgjigjet: kur flet në Washington, Bruksel apo New York, kujt interesi i shërben në radhë të parë, Shqipërisë apo pushtetit të tij?
The post “SHBA na tradhtoi”, servilosja dhe piruetat 180 gradë të Edi Ramës që dëmtojnë marrëdhënien me aleatin strategjik appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


