Aktivisti dhe ish-deputeti Azgan Haklaj ka reaguar pasi u ndalua në pikën kufitare të Bllatës, së bashku me gazetarin e njohur Ferdinand Samarxhi, ndërsa po udhëtonin drejt Maqedonisë së Veriut.
Haklaj tha për Gazeta Shqiptare se autoritetet maqedonase nuk i kanë lejuar të vijojnë udhëtimin, me argumentin e “kërcënimit të sigurisë publike kombëtare”.
Ndalimi vjen në një ditë kur në Shkup pritet të zhvillohet “Marshi i Lirisë”, i planifikuar për orën 14:00. Haklaj e lidh pikërisht me këtë aktivitet vendimin e autoriteteve për të mos i lejuar të hyjnë në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Sipas tij, bëhet fjalë për një shqetësim të autoriteteve maqedonase ndaj kësaj lëvizje patriotike të shqiptarëve e cila kërkon vetëm drejtësi për çlirimtarët e Kosovës, ndërsa thekson se pjesëmarrja në aktivitete të tilla nuk përbën kërcënim për sigurinë e vendit.
Haklaj argumenton se “edhe tubimet e mëparshme të shqiptarëve në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare kanë qenë paqësore dhe se pjesëmarrja në një marshim apo aktivitet me karakter patriotik nuk mund të konsiderohet, në vetvete, cenim i sigurisë publike”.
“Na ndaluan së bashku me gazetarin e njohur Ferdinand Samarxhi në doganën e Bllatës. Nuk na lejuan hyrjen në Maqedoninë e Veriut: kërcënim i sigurisë publike kombëtare”, shkruan Haklaj.
Ai tregon dhe arsyen e vërtetë të ndalimit: “Sot është Marshi i Lirisë në Shkup, në orën 14:00 dhe sigurisht kjo është arsyeja!”
Ndërkohë, deri tani, nuk ka një reagim zyrtar të autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të sqarojë konkretisht arsyet e ndalimit të Haklajt dhe Samarxhiut apo bazën ligjore mbi të cilën është marrë vendimi.
The post “Kërcënim për sigurinë”/ Azgan Haklaj denoncon autoritetet maqedonase pasi u ndalua në kufi: Arsyeja është “Marshi i Lirisë” në Shkup, na penguan të marrim pjesë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


