Marrëveshja mes dy partive buron nga vullneti i popullit dhe verdikti i tij i shprehur më 15 tetor. Kështu u shprehën në emisioni n “Studio e hapur”, shefat e shtabeve zgjedhore të Aleancës për shqiptarët dhe Lëvizjes Besa, Elmi Aziri dhe Afrim Gashi mbi marrëveshjen e arritur mes dy partive.
Afrim Gashi nga Lëvizja BESA tha se dy partitë nuk i ka bashkuar frika nga koalicioni BDI-LSDM, ndërsa shtoi se me koalicionin LSDM-BDI është bërë një ndërhyrje e thellë e subjekteve politike maqedonase në vullnetin politik të shqiptarëve.
AFRIM GASHI, LËVIZJA BESA
“Dhe tash po na ndodh për herë të parë në zgjedhje lokale, një subjekt politik maqedonas futet në kampin politik shqiptar dhe mundohet ta shtrembërojë këtë vullnet politik të shqiptarëve se kush do të duhet të menaxhojë me komunat shqiptare”
Edhe Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët tha se këta dy subjekte nuk i ka bashkuar frika nga koalicioni BDI-LSDM, ngase këta dy parti patën koalicion që në raundin e parë dhe u panë rezultatet.
ELMI AZIRI, ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Në Gostivar dolëm me numër të njejtë të votave me BDI-në ne si Aleancë për Shqiptarët, në Strugë dolëm fitues edhe ndaj LSDM-së edhe ndaj BDI-së, kur e dimë se në të gjitha këto komuna BDI-ja dhe LSDM-ja kishin koalicion edhe në raundin e pare”
Sa i përket mundësisë që ky koalicion të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve lokale, që të dy, edhe Aziri dhe Gashi u shprehën se zgjedhjet lokale do të jenë test i mirë për të dyja subjektet.
ELMI AZIRI, ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Këto zgjedhje do të jenë një sprovë dashamirëse e funksionimit të dy subjekteve politike, qoftë lidershipit, strukturave por edhe aktivistëve. Dhe sa i takon Aleancës për Shqiptarët, nuk shoh asnjë pengesë që të vazhdon koalicioni me Lëvizjen BESA edhe për garat e tjera zgjedhore
AFRIM GASHI, LËVIZJA BESA
“Ky do të jetë një test i mirë edhe për ne si subjekte politike, edhe për qytetarët që ta shohin ata se si menaxhojnë me komunat dy subjektet e reja politike dhe do të mund ta bëjnë dallimin me atë se si i ka menaxhuar komunat BDI-ja”
Shefat e shtabeve zgjedhorë të BESËS dhe Aleancës për shqiptarët folën edhe për investimet e ulëta në komunat shqiptare për kokë banori, ku Aziri tha se këto të dhëna janë edhe një tregues që dëshmojnë se komunat janë menaxhuar në mënyrë jo të mirë. Ndërsa Afrim Gashi thekosi se në komunat shqiptare është vjedhur shumë dhe tha se për të gjitha këto duhet të ketë përgjegjësi.
ELMI AZIRI, ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Përveç menaxhim të keq ka edhe menaxhim të mirë, Good goverement, e cila karakterizohet me rritje të efikasitetit, me efektivitet, me llogaridhënie me transparencë e kështu me radhë.
AFRIM GASHI, LËVIZJA BESA
“Mbi gjitha të flasim shqip, është vjedh shumë nëpër komuna, ja ka nxjerr fundin, duhet mos me vjedhë. Nëse e ndalim vjedhjen kemi transparencë dhe ka dije profesionale në këtë drejtim unë jam i bindur se shumë do të ndryshoj gjendja e qytetarëve shqiptarë nëpër komuna. Por vjedhja duhet të ndalet”
Kujtojmë se Lëvizja BESA kundër BDI-së do të garojë në 6 komuna, ndërsa Aleanca për Shqiptarët në pesë tjera. Përpos kësaj, BESA do të garojë edhe në komunën e Studeniçanit, kundër PDSH-së. Enis Murtezi /SHENJA/

