Vendimi i marrë nga rektorati i Universitetit të Tetovës që degët e disperzuara të këtij universiteti në Shkup të transferohen në Tetovë, ka revoltuar studentët që deri më tani kanë ndjekur studimet në degë të ndryshme të disperzuara në Shkup. Ata janë shprehur shumë të pakënaqur nga ky vendim, ndërsa këtë pakënaqësi e kanë materializuar përmes një inciative për nënshkrimin e një peticioni, me të cilin kërkojnë shfuqizimin e vendimit. Nëse i njejti nuk përfillet nga rektorati, ata planifikojnë që të ndërmarrin edhe hapa të tjera më radikale.
STUDENT
“Pasi kemi marrë vendimin zyrtar nga rektorari i Universitetit të Tetovës, sot ne si studentë kemi marrë vendim që gjithë kryetarët e grupeve që të bëjmë peticion dhe ta dërgojmë si shkresë dhe pastaj ta shohim presim vendimin nga rektorati, se çfarë vendimi do të marrin ata. Ne këtë peticion e bëjmë për disperzimin e Shkupit që do të transferohet në Tetovë, ku kemi një numër të madh studentësh që janë kundër këtij vendimi”.
STUDENT
“Ne kemi filluar nga peticioni, do të mbledhim një numër të caktuar të nënshkrimeve që na është vendosur dhe pastaj do ta dërgojmë me shkresë zyrtare te rektorati që të ndalet ai vendim dhe grupi i studentëve të disperzimit të qëndroj në Shkup. Ky është hapi i parë, do të ketë edhe hapa të tjerë që do të ndërmerren me kalimin e kohës por, do të shohim nëse do të merret parasysh ky peticion”.
STUDENT
“Vendimin nuk e kemi pranuar aq mirë për arsye se unë vij nga Kumanova dhe më kushton shumë shtrenjtë që të shkoj në Tetovë. Nëse unë do të kisha dëshirë të studioj në Tetovë do shkoja që në fillim, nuk do prisja tash të më dërgojnë në Tetovë ata me vet dëshirën e tyre. Ne nuk jemi të kënaqurqë të na dërgojnë në Tetovë.Nëse ka nevojë do të protesojmë, do të shohim se cila metodë është më e mirë për neve studentët”
Ajo që e bënë edhe më të papranueshme këtë vendim për studentët është rritja e harxhimeve të rrugës dhe harxhimeve të tjera studentore, të paplanifikuara gjatë regjistrimit të fakultetit në Shkup.
STUDENT
“Gjysma e studentëve këtu në Shkup që janë janë me ndihma sociale dhe nuk kanë mundësi. Ndoshta një numër i caktuar ka mundësi të transferohet dhe të studioj në Tetovë por, shumica e studentëve në Shkup janë me ndihma sociale dhe nuk kanë mundësi që t’i ndjekin studimet dhe harxhimet shtesë. Përpos harxhimeve të rrugës, do të kenë edhe harxhime shtesë gjatë studimeve”.
STUDENT
“Harxhimet do të rriten, goxha shumë të mëdhaja do të bëhen dhe për atë arsye nuk jemi shumë studentë që duam të shkojmë në Tetovë dhe nuk jemi të kënaqur nga rektorati”.
Rektorati akoma nuk ka shpallur publikisht këtë vendim, por ka informuar profesorët e këtij universiteti dhe studentët se që nga ky vit akademik ata duhet të vazhdojnë studimet në Tetovë. Teuta Buç

