Studentët e Universitetit të Tetovës bllokojnë hyrjen e Universitetit në Shkup, në shenjë revolte për shkak se nuk duan që të transferohen në Tetovë. Në protestën e mbajtur për disa orë para objektit të universitetit, studentët njëkohësisht nuk lejuan hyrjen e administratorëve dhe as të studentëve të universitetit të “Nënë Terezës”. Studentët thonë se protestat e filluara sot do të vazhdojnë edhe ditët në vijim. Protestat sipas studentëve mund edhe të radikalizohen dhe të ngrisin edhe tenda para universitetit vetëm që të arrijnë qëllimin e tyre.
ENES SHERIFI, STUDENT
“Do të bllokohet institucioni dhe shpresoj që të hasim në mirëkuptim me rektoratin e Tetovës. Protestat do të vazhdojnë, nuk do të ndalen derisa të kthehet përgjigje pozitive nga ana e rektoratit. Shpresoj dhe besoj që do ta arrijmë qëllimin se ne jemi student, mbi 500 student që janë aktiv në këtë universitet. Protestat do të vazhdojnë dhe nëse nuk ka ndonjë vendim pozitiv atëherë do të radikalizohen protestat”.
Studentët thonë se edhe pse nuk e gëzojnë mbështetjen e profesorëve, ata do të vazhdojnë që të protestojnë, pasi shprehen shumë të pakënaqur ndaj vendimit të rektoratit për tërhiqjen studimeve të disperzuara nga Shkupi. Zhvendosja e tyre në Tetovë nuk ju konvenon aspak, pasi sipas tyre një gjë e tillë është shumë e kushtueshme.
FATIME SEJFULLA, STUDENTE
“Ne në Tetovë nuk duam të shkojmë përshkak të kushteve që nuk i kemi. ne kur kemi bërë regjistrimin, e kemi bërë këtu në Shkup dhe jo në Tetovë. Ne nuk kemi kushte për të udhëtuar, ose për të qëndruar nëpër konvikte atje”.
MEVLUDIN IMERI, STUDENT
“Jemi mbledhur këtu që të shprehim pakënaqësinë tonë që e kemi. Jemi mbledhur një numër i caktuar. Kjo është vetëm fillimi, e ceku edhe kolegu protestat do të vazhdojnë. Ne jemi regjistruar këtu dhe duam të mbetemi këtu, që t’i vazhdojmë studimet dhe protestat do të vazhdojnë deri kur rekotorati të jep vendim pozitiv”.
Në takimin e realizuar me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, studentët njoftojnë se ata u kanë dhënë përkrahje për të vazhduar studimet në Shkup dhe sipas vendimit të cilin e kanë siguruar nga kjo ministri, figuron se në Tetovë do të ketë transferim vetëm studentëve të rinj.
Ndërkaq, ditën e hënë studentët si hap të parë e filluan peticion kundër vendimit të Universitetit të Tetovës, për transferimin e tyre në Tetovë. Peticioni është përfundur ditën e djeshme dhe është dërguar në rektorat. Hapi i dytë ishte ai i fillimit të protestave, ndërsa ata premtojnë se kjo nuk do të përfundojë me kaq.
Emine Ismaili /SHENJA/

