Debat lidhur me ngacmimet dhe dhunën në shkolla u organizua sot nga Universiteti Amerikan i Europës – FON. Me qëllim që të mos vijë deri te incidente me pasoja fatale, folësit dërguan apel deri te prindërit që t’u përkushtohen më tepër fëmijëve dhe të mos ngurrojnë t’i dërgojnë në psikolog. Profesoresha Ana Frichand tha se fëmijët nuk duhet të kenë frikë të paraqesin bullizmin ndaj tyre por edhe se duhet të punohet më tepër me dhunuesit se sa me viktimat.
“Duhet të punohet me dhunuesit sepse ato nuk e zgjedhin viktimën rastësisht, ju do ta tërheqni anash viktimën por dhunuesi do të gjejë tjetër viktimë. Ky është një rreth magjik i cili përsëritet e përsëritet. Dhunues nuk bëhet brenda natës dhe nuk ndalen vetëm në një rast. Këtë e dëshmon praktika. Ajo që duhet ta dijë çdo viktimë se sa më tepër që heshtë aq më keq për të.”- deklaroi Ana Frichand, udhëheqëse e Institutit për Psikologji.
Zv.ministri për punë dhe politikë sociale, Enver Husein tha se prindërit duhet të krijojnë raporte miqësore me fëmijët e tyre, duke u munduar t’ia shpjegojnë problemin ashtu siç e kuptojnë ata.
“Në periudhë të pubertetit ata mendojnë se janë më të fuqishmit, se atë që e dinë, e dinë më së miri. Se atë që e bëjnë e bëjnë më së miri. Ndërsa ne si prindër nëse arrijmë këtë ta theksojmë dhe ti shohim bindjet e tyre të gabuara. Jo vetëm fëmijët të kanë frikë nga ne si prindër se nëse mëson diçka prindi, do të ndëshkohet ose do të qortohet por duhet të vendosim lidhje miqësore ndonjëherë të vendosemi në nivelin e fëmijës që të mundemi që ta kuptojmë, dhe ajo që do t’ia themi fëmijës edhe ai të na kuptojë ne.”- deklaroi Enver Husein, Zv.ministër i Punës dhe Politikës Sociale.
Ndërkohë ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se bullizmi tanimë nuk është tabu temë dhe se çdo dhunë apo ngacmim duhet të paraqitet në email adresën elektronike e hapur ditë më parë.
“Vetëm në emailët elektronik kanë arritur denoncime ku ne veprojmë pas marrjes së denoncimeve. Sot është dita e dytë e veprimit. Kemi situata ku prindi nuk dëshiron të denoncojë në shkollë. Atyre prindërve u dërgoj apel të paraqesin në shkollë. Nuk mundet ministria të jetë në vendin e psikologut. Nuk mundet ministria të jetë në vendin e prindërit i cili thotë se është tabu temë. Si të veproj unë, si fëmiu im të shkojë në psikolog, do ta kuptojë i gjithë opinioni, do ta kuptojë i gjithë qyteti. Këto tabu tema duhet t’i tejkalojmë së bashku.”- deklaroi Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit.
Si shkaqe kryesore për sjellje të çuditshme të nxënësve, folësit theksuan edhe rrjetet sociale ku të rinjtë sfidojnë njëri tjetrin në veprime të çuditshme dhe kështu mundohen të jenë në qendër të vëmendjes. Rasti më i freskët ka qenë dje ku një grua ka raportuar në polici se në një shkollë fillore në Qendër të Shkupit një nxënëse kishte përgatitur një listë me kërcënime ndaj nxënësve të tjerë.