30 Dhjetor
Prokuroria Speciale paralajmëroi se seriozisht shqyrtohet mundësia lëndët për të cilat Katica Janevës i skadoi afati për ngritjen e aktpadive, të përfundojnë në gjyq përmes Prokurorisë së rregullt. Mundësinë e sqaroi prokurorja Fatime Fetai në intervistën e mbrëmshme në emisionin “360 Gradë” në Alsat M. Por, duke pas parasysh faktin që vetëm PSP është kompetente për lëndët që dalin nga përgjimet e paligjshme, edhe vetë tha se për t’u realizuar mundësia e këtillë, ndoshta do të nevojiten ndryshime ligjore.
Ende nuk kemi ardhur në situatë të tillë të kemi ndonjë lëndë tonën, gjegjësisht ndonjë hetim tonin i cili ka ardhur në atë fazë kur është e nevojshme të ngritët aktpadi. Por në momentin që do kemi ndonjë lëndë të tillë, do të gjendet zgjidhje për gjithçka. Siç ju thashë, nëse ka vullnet të mirë, sidomos kur është në pyetje realizimi i drejtësisë, mund të gjendet zgjidhje – tha Fatime Fetai, prokurore e PSP.
Në intervistë Fetai u përgjigj në shumë pyetje edhe rreth lëndëve aktuale të PSP-së. Për rastin Monstra, ajo tha se PSP ka procedurë para-hetimore, por nuk shpalosi më shumë hollësi për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Për rastin “Liderët”, gjegjësisht për hetimin lidhur me ndërtimin e paligjshëm përballë ambasadës amerikane për të cilën në një nga bombat bisedonin Ali Ahmeti dhe Nikolla Gruevski, nuk përjashtoi mundësinë hetimi të zgjerohet dhe në të të përfshihen edhe persona tjerë. Për momentin për këtë rast janë të dyshuar vetëm investitori dhe sipas Fetait, liderët e BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së nuk janë të dyshuar sepse nuk ka pasur dëshmi se ata e kanë ndihmuar veprën.
Fetai nuk deshi të tregojë se kush, por megjithatë u përgjigj në pyetjen a ka pasur oferta për ujdi nga ana e të dyshuarve në lëndët e tyre.
Ka pasur përpjekje për ujdi me një pjesë të të akuzuarve në proceset tona, më shpesh nga ana e tyre, me iniciativën e tyre, pikërisht për shkak të përparësive që i ofron ky institut. Por, për shkak të gjendjes aktuale në një periudhë të caktuar në funksionimin e PSP, për shkak të opstrukcioneve të shumta, presioneve, por edhe për shkak të presioneve dhe kërcënimeve ndaj një pjese të tyre të akuzuarve që në një farë mënyre u përpoqën të bëjnë ujdi, kjo u vështirësua në mënyrë të konsiderueshme – deklaroi Fatime Fetai, prokurore e PSP.
Fetai paralajmëroi se përveç në lëndët që janë në fazën e gjykimit, PSP do të vazhdojë të punojë edhe në lëndë tjera. Së shpejti do të hapet hetim edhe për rastin “Aktor” gjegjësisht për dyshimet për abuzime gjatë ndërtimit të autostradës Demir Kapi- Smokvicë. Në një të ardhme të afërt, mund të ndodhë PSP ta kërkojë lëndën edhe për regjistrimin e pasuksesshëm të vitit 2011 i cili me vite qëndron në sirtarët e prokurorisë së rregullt.
Alsat-M

