Për më shumë se një muaj, dy të akuzuarit e Prokurorisë Speciale Publike, për rastet “Target” dhe “Fortesa”, Goran Grujovski dhe Nikolla Boshkovski, janë në arrati. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, gjatë një prononcimi për media tha se janë duke punuar në mënyrë intensive, për gjetjen e lokacioneve, në të cilat po fshihen ish pjestarët e policisë.
“Ne po punojmë lidhur me Grujovskin dhe Boshkovskin, që përmes lokacioneve që i kemi kuptuar, të vijmë në gjurmë të këtyre dy ish pjestarëve të policisë, pra të Ministrisë së Punëve të Brendëshme, të cilët akuzohen. Ne në bazë të gjurmëve dhe procedurave, nuk mund të japim detaje, por të gjithë iformacionet që i kemi së bashku me Prokurorinë Speciale Publike. Po punojmë për atë që këto persona t’ia dorëzojmë organeve të rendit dhe të mund të vazhdohet ajo procedurë, që është inicuar lidhur me këtë çështje”, ka deklaruar Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme.
Ndërsa i pyetur nëse janë të vërteta informacionet se Grujovski ka dy identitete dhe dy shtetësi, Spasovski tha se këto janë procedura që po zhvillohen në Prokurorinë Speciale.
“Procedura e këtillë, për identitetin e dyfisht që i kanë Grujovski edhe disa persona tjerë po zhvillohet në PSP. Gjithesesi këto janë informacione që nuk mund t’i ndajmë për momentin me opinionin. Lidhur me shtetësin e dyfisht nuk kemi njoftim nëse kanë shtetësi të dyfishtë të Grujovskit dhe cilit do prej tyre”, ka shtuar Spasovski.
Për ish drejtorin e Drejtorisë së Pestë në DSK, Goran Grujovski si dhe për Nikolla Boshkovskin, i punësuar poashtu në DSK, Gjykata e Apelit më 18 korrik shqiptoi masën e paraburgimit. Pastaj, Gjykata Supreme, e vërtetoi vendimin e Gjykatës së Apelit për masë paraburgimi, por kjo masë nuk u ekzekutua menjëherë, pasi që atyre ju dha mundësia për ankesë në Gjykatën Supreme, gjë që shtyu paraburgimin e të akuzuarve. Ndërsa më 26 korrik, pasi që policia nuk arriti t’i gjejë dhe t’i marrë në paraburgim, për ta u lëshua fletarrest ndërkombëtar.
Emine Ismaili /SHENJA/

