30 November
Ministria e Brendshme ka informacione se ku ndodhen 12-të të dyshuarit për zhvillimet e 27 prillit në Kuvend, të cilët në aksionin e dy ditëve më parë nuk u kapën nga policia. Sipas ministrit të Brendshëm Oliver Spasovski, informacionet që posedon dikasteri i Brendshëm nuk janë për t’u ndarë me opinionin. Policia dyshon se disa prej të arratisurve posedojnë edhe nënshtetësi të dyfishtë.
Nuk mund të ndaj asnjë detaj në këto rrethana. Është fazë e hetimit dhe në këto momente informacionet e tilla nuk mund të ndahen me publikun. Po punojmë në gjetjen dhe dërgimin e tyre para organeve gjyqësorë. Kjo është e gjitha – deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.
Nuk ka detaje nëse ndaj personave të dyshuar të cilët nuk u kapën në aksionin policorë është lëshuar flet-arrest ndërkombëtar. Ministria e Brendshme është duke punuar në lokalizimin dhe privimin e tyre.
Po punojmë në gjetjen edhe të 12 personave. Me siguri që të njëjtit janë në Maqedoni. Çështja e arrestit ndërkombëtarë është punë e Prokurorisë dhe Gjykatës – tha Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.
Ndërkohë po rrjedh afati kohorë për parashtrimin e ankesave nga ana e mbrojtjes deri tek Gjykata Penale ndaj masave për paraburgim dhe arrest shtëpiak. Nga ky organ njoftojnë se gjatë ditës pritet të arrijnë edhe kërkesat e avokatëve të të dyshuarve. Gjykata Penale të martën mbrëma caktoi paraburgim 30 ditorë për 13 persona, nën akuzën “cenim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”. Në mesin e të paraburgosurve janë ish drejtori i BSP-së Mitko Çavkov, agjentet Oliver Radullov dhe Mumin Pepiç, ish drejtori i Operës dhe Baletit Igro Durllvski dhe drejtuesi i protestave “Për Maqedoni të përbashkët” Bogdan Ilievski. Masa e arrestit shtëpiak u caktua ndaj gjashtë personave, në mesin e tyre ish shefi i sigurimit të Trajko Veljanovskit, Goran Gjoshevski, drejtuesit të protestave Boris Damovski dhe aktorit Vllado Jovanovski. Për 6 deputetët e dyshuar, Gjykata ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit. Për zhvillimet e 27 prillit në Kuvend, për veprën “cenim terrorist i rendit Kushtetues dhe sigurisë” akuzohen 36 persona. Sipas Kodit Penal për këtë vepër parashikohen të paktën 10 vite burg.
Adrian Kerimi

