Publicisti Nexhmedin Spahiu, në shkrimin e tij të publikuar në revistën SHENJA, shkruan se problemi maqedonaso-bullgar është çështje dypalëshe, ndërkohë që nga raportet e acaruara mes Shkupit dhe Sofjes përfiton Serbia. Sipas tij, pos maqedonasve e bullgarëve, në këtë çështje më së shumti pëson Kosova e Shqipëria.
Nexhmedin Spahiu
“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duhet ta përkrahin palën maqedonase që është në favor të marrëveshjes me Bullgarinë. Diplomacia kosovare dhe diplomacia shqiptare duhet ta inkurajojnë marrëveshjen mes Shkupit e Sofjes. Në këtë kontekst, në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë dhe institucioneve të tyre në çdo vend ku vendoset flamuri i Shqipërisë duhet të vendoset flamuri i Kosovës, kjo për të treguar respekt dhe dashuri të njëjtë si ndaj Kosovës ashtu edhe Shqipërisë. Kështu u jepet shembull edhe maqedonëve se për të pasur një identitet kombëtar nuk kanë nevojë ta mohojnë origjinën e tyre etnike e as historinë e përbashkët me Bullgarinë, njësoj sikurse që Kosova nuk e mohon as origjinën e përbashkët etnike e as historinë e përbashkët me Shqipërinë, përkundër faktit që e ka ndërtuar identitetin e vet të veçantë kombëtar”.
Spahiu shkruan se është vështirë të parashikohet se kur do të përfundojë kjo betejë mes Serbisë e Bullgarisë për influencë në Maqedoninë e Veriut, por është e sigurt Serbia do të investojë që sa më shumë maqedonas të këmbëngulin në kundërshtim të kërkesave bullgare.
Ndërkohë, Selim Ibrahimi, në shkrimin në revistën SHENJA, shkruan se maqedonasve nuk ua mohon askush identitetin. Sipas tij, janë po të njëjtit që ua mohojnë të drejtat të tjerëve dhe kjo nuk mund të jetë gjë tjetër, veçse një pasqyrë e mohimit të vetvetes si individë, përfaqësues dhe etni.
Selim Ibrahimi
“Rajonit gjithsesi se i duhen politikanë të rinj që do t’i tejkalojnë politikanët e vjetër dhe qarqet që ata i këshillojnë. Me siguri se me ndërrimet tek popullata maqedonase në sjellje dhe veprime, me ndryshimet në udhëheqjen politike tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, me gjasë, se do të kemi edhe pajtim të vërtetë shqiptaro-maqedonas, natyrisht se në të ardhmen do të jemi më të unifikuar si kombe të rajonit nga kërcënimet e reja”
Në rast se do të lëshohet ky rast, rrënimi shoqëror në dekadat që vijnë do të jetë i paevitueshëm.




