18 September
Sot është caktuar seanca e parë për rastin “Sopot” nga Prokurorisa Speciale Publike (PSP) pas marrjes së rastit nën hetim nga Prokuroria Themelore Publike në korrik të këtij viti.
Në këtë rast janë të dënuar dhjetë persona për “terrorizëm”. Prokurorja Speciale Fatime Fetai në një konferencë për shtyp në maj të këtij viti deklaroi se dëshmia e dëshmitarit kyç Ramadan Bajrami është dëshmi e detyruar. Fetai atëherë tha se Ministria e Punëve të Brendshme dhe persona zyrtar kanë kryer torturë ndaj këtij dëshmitari. Ekspertiza e PSP-së ka treguar se kundrejt dëshmitarit janë konfirmuar pasoja psikike, por veprimet e tilla janë të vjetërsuara tashmë për t’i ndjekur penalisht.
Megjithatë, edhe përkundër vjetërsisë së ndjekjeve të dëshmive dhe fakteve ka implikacione të drejtpërdrejta ndaj procedurës e cila zhvillohet para Gjykatës Penale, tha atëherë Fetai. Prokurorja theksoi se për këtë rast kanë hapur edhe procedurë parahetimore, por nuk kanë zbardhur raste.
Ndryshe, nga materialet e përgjuara të publikuara dëgjohet se si ish ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska dhe ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, diskutojnë për rastin në fjalë dhe thonë se të akuzuarit pafajsisht janë burgosur.
Në një bisedë tjetër telefonike dëgjohet se si deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së në Kuvend, Ilija Dimovski, ka kërkuar nga Gordana Jankullovska dhe prokurori Marko Zvërlevski paraburgim për bashkëqytetarët e tij në procesin gjyqësor “Sopoti”, në kundërshtim me vendimet e mëparshme të Gjykatës.

