Maqedonia e Veriut duhet t’i përmbushë detyrimet e saj dhe të nisë ndryshimet e nevojshme për të vazhduar rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Ky është qëndrimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë lidhur me deklaratën e fundit të shefit të diplomacisë së Maqedonisë, Timço Mucunski, i cili tha se është me rëndësi të madhe që Bashkimi Evropian të përfshihet në të gjitha bisedimet e mëtejshme me Sofjen zyrtare.
“Procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE është çështje evropiane, e cila duhet të zgjidhet në kuadër të institucioneve evropiane dhe në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara. Bullgaria e mbështet punën e Komisionit Evropian me secilin prej vendeve që negociojnë për anëtarësim, duke vlerësuar rezultatet e arritura në kuadër të Këshillit Evropian. Presim që Maqedonia e Veriut t’i përmbushë detyrimet e saj dhe të nisë ndryshimet e nevojshme për të vazhduar përpara në rrugën e saj evropiane”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë.
Nga atje shtojnë se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë pjesë thelbësore e procesit të anëtarësimit në BE, kusht i domosdoshëm për përparimin drejt anëtarësimit në Union, por edhe parakusht themelor për ndërtimin e besimit.
“Bullgaria ka qenë gjithmonë dhe mbetet e hapur për dialog konstruktiv me Republikën e Maqedonisë së Veriut”, shtojnë nga ministria bullgare.
Reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë vjen pasi ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, në një intervistë për MIA-n tha se vendi nuk është i gatshëm, me çdo kusht, të pranojë një kompromis që nuk i siguron shtetit parashikueshmëri dhe, për këtë arsye, siç tha ai, është me rëndësi të madhe që në të gjitha bisedimet e mëtejshme me Sofjen të përfshihet edhe Bashkimi Evropian.



