6 March 2018 / 15:29
Igor Tanturovski, kryetar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit deponoi dorëheqjen e tij në Kuvend. Nuk ka asnjë informacion nëse hapin e tij do ta ndjekin edhe 5 të tjerët nga komisioni pasi së fundmi u largua edhe anëtari Goran Milenkov. Alsat M jozyrtarisht mëson se anëtarët shqiptarë tashmë i kanë përgatitur dorëheqjet e tyre. Tanturovski kohët e fundit deklaroi se nuk do të tërhiqet dhe ka mohuar çfarëdo parregullsi në punën e Komisionit. Ai tha se raporti i revizorit ku ishin vërejtur parregullsi në punën e këtij komisioni është nxjerrë jashtë kontekstit dhe se në veçanti emri i tij nuk përmendet askund.
Të martën megjithatë, Goran Milenkov njoftoi tërheqjen e tij për arsye shëndetësore. Ai mbeti në kujtim, pasi rreth dy vjet më parë u befasua pse gazetarët interesohen për deklarimin e pasurisë së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.
Dorëheqjet në Komisionin kundër korrupsionit nisën nën presionin publik, pasi u publikua raporti i revizorit të DAP-it. Aty janë theksuar dyshime në lidhje me pagesën e parave për shpenzimet fiktive të udhëtimit dhe shpenzime tjera të paligjshme. Dorëheqje kërkoi edhe shumica parlamentare. Anëtarët e Komisionit kundër korrupsionit i emëron dhe shkarkon Kuvendi me një shumicë të thjeshtë dhe kanë mandat prej katër vjetësh. Përbërja aktuale, të cilës me gjasa i ka mbetur edhe shumë pak deri në shpërbërje, është nga prilli i vitit 2015.
Alsat M


