8 September 2018 / 15:46
Qeveria hesht lidhur me tatimin progresiv. Katër muaj para implementimit të reformës së premtuar, tatimet e reja ende janë vetëm në nivelin e paralajmërimit. Ekspertët janë skeptik dhe thonë se afati deri më 1 janar të vitit 2019 është i shkurtër për miratim transparent të këtij ligji shumë të rëndësishëm. Ministria e financave e cila premtoi debat publik për atë se për çfarë tatimi progresiv ka nevojë Maqedonia, tashmë disa muaj nuk i ka informuar qytetarët. Sipas ekspertëve, në valën e referendumit risitë e këtilla për qytetarët janë temë e ndjeshme për trupin votues.
Nëse e kemi parasysh ndjeshmërinë e kësaj periudhe dhe nevojën për t’u respektuar procedura për miratimin e një ligji të këtillë, mendoj se miratimi do të jetë i vonshëm, gjegjësisht hyrja e tij e mundshme, pra tatimi progresiv në fuqi në vitin 2019. Por, të mos harrojmë se qeveria në programin e saj premtoi dhe nëse qëndron në fjalë dhe i përmbahet programit, atëherë ky është obligim i saj”- tha Pavle Gacov, ekspert tatimor.
Gacov thotë se bizneset kanë pritur nga qeveria që t’i zbatojë premtimet, para së gjithash në pjesën e miratimit transparent të ligjeve që ndikojnë në biznes.
Nëse bëhet deri në fund të vitit, kjo do të thotë që nga tetori deri në dhjetor të kryhen të gjitha aspektet procedurale për ndryshimin e politikës tatimore, do të ishte mirtim i shpejtë i ligjit pa debat të mirëfilltë edhe pse debati ishte paralajmëruar që në fillim të pranverës, por kjo nuk ndodhi. Tani do të mungojë ky element i rëndësishëm, hallkë e rëndësishme në miratimin e këtij dokumenti”- u shpreh Pave Gacov, ekspert tatimor.
Ministri i financave Dragan Tevdovski në muajin mars paralajmëroi se mendohet të vendoset shkallë më e lartë tatimore prej 18% me çka do të tatimohen ato që kanë të ardhura më të mëdha se 1 mijë euro në muaj. Opinioni, sidomos sektori i informatikës ashpër reaguan ndaj këtij paralajmërimi. Sipas tyre kjo do ta rritë evazionin fiskal dhe shpërnguljen e të rinjve. Anketa e fundit të cilën e realizoi IRI tregoi se tatimi progresiv është i arsyeshëm për 38% të qytetarëve. 25% e tyre janë përgjigjur se e mbështesin aplikimin e tatimit progresiv, por ai të varet nga lartësia e rrogave për të cilat do të paguhet tatim më i lartë personal. Sipas anketës, 30% e qytetarëve vlerësojnë se me aplikimin e tatimit progresiv do të rritet fshehja e tatimit, ndërsa 21% e qytetarëve mendojnë se kompanitë tatimin më të lartë do ta paguajnë nga ulja e rrogave të punëtorëve.
Aleksandra Spasevska


