Sindikatat turke të punës kanë vënë në pah shkatërrimin humanitar dhe mjedisor në Gaza përmes një ekspozite në kuadër të COP31, transmeton Anadolu.
Ekspozita “Shpresa e kthimit: Al-Awda – Historia e pemës së ullirit” është hapur në Antalya, qytet mesdhetar i Turqisë, ku po mbahet Samiti i Kombeve të Bashkuara për klimën. Ekspozita është organizuar nga Konfederata Turke e Sindikatave të Nëpunësve Civilë (Memur-Sen) dhe Konfederata Ndërkombëtare e Punës (ILC).
Ajo do të jetë e hapur për vizitorët në hollin e Qendrës së Kongreseve të Zonës së Gjelbër të COP31 nga 9 deri më 20 nëntor. Përmes instalacioneve interaktive, vizitorët udhëtojnë nga rrugët dikur plot gjallëri të Gazës drejt shkatërrimit të shkaktuar nga lufta, të shoqëruar nga dëshmi personale të regjistruara mes rrënojave.
Në ekspozitë paraqiten edhe sende të përditshme të sjella nga Palestina, të cilat shërbejnë si dëshmitarë të heshtur të jetëve të ndërprera nga konflikti. Në qendër të saj qëndron një pemë ulliri e dëmtuar, por ende rezistente, që simbolizon lidhjen e qëndrueshme të popullit palestinez me atdheun e tij.
Me rrënjë në të kaluarën dhe degë që shtrihen drejt së ardhmes, pema përfaqëson paqen, solidaritetin dhe premtimin e jetës pavarësisht shkatërrimit të gjerë. Një hartë e Palestinës e krijuar me çelësa që simbolizojnë shtëpitë në Gaza vë gjithashtu në pah gjendjen e vështirë të familjeve palestineze të zhvendosura.
Shumë familje palestineze, të detyruara të largoheshin në vitin 1948, morën me vete çelësat e shtëpive të tyre, me besimin se një ditë do të ktheheshin. Ato ua përcollën çelësat brezave pasardhës.
– Shkatërrimi mjedisor në Gaza
Ekspozita vë në pah gjithashtu përmasat e shkatërrimit mjedisor në Gaza. Aty paraqiten të dhëna për municionet shpërthyese, emetimet e karbonit, infrastrukturën e dëmtuar, humbjet bujqësore dhe trashëgiminë kulturore.
Sipas të dhënave të ekspozuara, fuqia shpërthyese e municioneve të hedhura në Gaza është e barasvlershme me rreth 13 herë fuqinë e bombës atomike të hedhur në Hiroshima në vitin 1945. Ekspozita thekson se emetimet e karbonit të krijuara gjatë 60 ditëve të para të konfliktit tejkaluan emetimet vjetore të 20 vendeve.
Shkatërrimi i bujqësisë është një tjetër temë qendrore. Sipas të dhënave të paraqitura, numri i pemëve të ullirit në Gaza ka rënë nga rreth 2 milionë para sulmeve në vetëm 150 mijë. Gjithashtu, sipas ekspozitës, rreth 81 për qind e ndërtesave në Gaza janë dëmtuar, duke lënë pas më shumë se 61 milionë tonë rrënoja.
Ndërkohë, thuhet se 97 për qind e tokës bujqësore është bërë e papërdorshme ndërsa 45 nga 54 objektet e furnizimit me ujë në Gaza nuk janë më funksionale. Shkatërrimi ka prekur edhe trashëgiminë historike dhe kulturore të Gazës, ku raportohet se janë shkatërruar 208 nga 325 objektet historike dhe kulturore.
Përmes këtyre të dhënave, organizatorët synojnë të dëshmojnë se sulmet nuk kanë prekur vetëm ndërtesat dhe infrastrukturën, por edhe tokën, burimet ujore, cilësinë e ajrit dhe trashëgiminë historike të Gazës.
MARKETING
<!–



