Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, i është drejtuar kombit pas tragjedisë në Koçani, ku një diskotekë u kaplua nga zjarri duke marrë jetën e të paktën 59 personave, transmeton Anadolu
Në fjalën e saj, Siljanovska-Davkova shprehu ngushëllimet për prindërit dhe të afërmit e të ndjerëve, si dhe uroi shërim të shpejtë për të lënduarit.
Ajo vlerësoi ndihmën e ofruar nga vendet fqinje, si dhe nga vendet më të largëta, duke njoftuar se të plagosurit në gjendje më të rëndë po transportohen në klinika të specializuara në Bullgari, Serbi, Greqi dhe Türkiye.
“Njerëz të mirë nga i gjithë rajoni, Evropa dhe bota janë me ne. Ne kurrë nuk do ta harrojmë këtë akt mirësie. Ne do t’u jemi përjetësisht mirënjohës atyre”, tha presidentja Siljanovska-Davkova.
Më tej, ajo bëri thirrje që humanizmi dhe empatia të bashkohen në dhimbje, pasi siç tha ajo, “nuk është koha për përçarje dhe përballje, sidomos kur bëhet fjalë për të rinjtë, jeta e të cilëve u shua në një çast për shkak të arbitraritetit, improvizimit dhe manipulimit”
Ajo theksoi se asnjë biznes apo aktivitet nuk mund të funksionojë pa standarde dhe rregulla dhe se asnjë përgjegjës këtë herë nuk duhet t’i shpëtpojë ligjit, drejtësisë dhe dënimit.
“Le të mos sakrifikojmë më kurrë standardet dhe sigurinë e njerëzve për përfitimin dhe pasurinë e individëve. Asgjë nuk është më e vlefshme se jeta e njeriut, veçanërisht jeta rinore”, theksoi Siljanovska-Davkova.
Më herët, qeveria e Maqedonisë së Veriut mbajti një seancë të jashtëzakonshme dhe vendosi shpalljen për shtatë ditë zie në mbarë territorin e vendit, të përgjigjen të gjithë të përfshirët në këtë ngjarje tragjike, si dhe një inspektim të jashtëzakonshëm të të gjitha objekteve hotelierike.
Sipas informacioneve të fundit, të paktën 59 persona humbën jetën dhe rreth 155 të tjerë u plagosën si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një diskotekë në Koçani në një ngjarje argëtimi nga një grup muzikor.