Aleanca për Shqiptarët (ASH) nuk mori vendimin e pritur për të braktisur qeverinë as në kuvendin e sotëm të mbajtur në Gostivar. Edhe pse një vendim i tillë pritej duke marrë parasysh deklaratat e liderit të kësaj partie pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev, ASH-së duket se nuk i dilet nga qeveria.
“Nuk mendoj që meritojnë që teket e Ali Ahmetit të bëhen temë diskutimi në Kuvendin Qendror. Nuk ka qenë pjesë e rendit të ditës aspak kjo çështje. Gjithçka folët. Ne si Kuvend qendror kemi votuar, kur jemi bërë pjesë e Qeverisë. Ne kemi për të realizuar programin tonë që u kemi premtuar qytetarëve”, ka deklaruar Ziadin Sela pas përfundimit të punëve të kuvendit.
Ai ka thënë se do të pritet dita e hënë, kur do të shihet nëse kuvendi do të votojë për ministrin e ri të Shëndetësisë nga radhët e LSDM-së.
Takimi i fundit midis Zaevit dhe Selës, i mbajtur para tre ditëve në kabinetin e kryeministrit në Shkup, rezultoi i pasuksesshëm. Kishte zgjatur vetëm 18 minuta pasi Zaev nuk kishte pranuar të negociojë, por të dëgjojë nga Sela nëse do ta marrë pozicionin e zv/kryeministrit për reforma apo jo.
Sela pas takimit doli me një deklaratë ku tha se “do të propozojë që të ketë edhe zv/kryeministër për bartje të byrekut” e cila do t’i jepej BDI-së. Me këtë deklaratë ai bëri të ditur se resori që i ofron Zaevi ASH-së, në krahasim me Ministrinë e Shëndetësisë, është i barasvlershëm me një “ministri byreku”.
“Ne qëndrojmë në opinionin tonë dhe nuk shohim ndonjë arsye për të ndryshuar se pse duhet të ndryshohen pozitat. Aleanca për Shqiptarët i takon Ministria e Shëndetësisë. Nëse ndokush i pengon sukseset e tona, le të del le ta thotë haptazi. Ne i thamë Zaevit se Ministria është e jona”, tha Sela më 21 dhjetor. “Sërish, topi përfundimtar i ngelet kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, pasi që ai duhet të tregojë përfundimisht se kush do të udhëheq me Ministrinë e Shëndetësisë”.
Nga ana tjetër, Zaevi e hodhi topin në Parlament, duke propozuar emrat e rinj të vendeve vakante në qeveri, midis të cilave edhe Venko Filipçen e LSDM-së për ministër të shëndetësisë. Në një paraqitje televizive në TV Telma Zaev bëri me dije se bisedimet me ASH-në kanë përfunduar pa sukses dhe se kjo parti nuk do të jetë më pjesë e qeverisë.
Por, me vendimin e Kuvendit të ASH-së sërish ngelet e hapur mundësia e mbetjes së kësaj partie në qeveri. Ajo mban pozitat e zëvendësve në ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale ku është i emëruar Elmi Aziri, në Transport dhe Lidhje me Remzi Mehmedin dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme me Arta Toçin.
Zëvendësimi i tyre nuk është në rend dite në seancën e së hënës, gjë vlerësohet të lë hapësirë që ASH të pranojë resorin e ri të ofruar nga Zaev në mënyrën “merre ose dil”.
Burime nga mbledhja e sotme e ASH-së kanë thënë për TV 21 se “lideri Ziadin Sela dëshiron që ta braktisë qeverinë, por se ndërkombëtarët i kanë rekomanduar që të mos e bëjë një gjë të tillë për shkak se kjo shkon në dëm të stabilitetit të shumicës.”
Ndryshe, kuvendi partiak ka sjellë vendim që më 11 mars të vitit të ardhshëm ASH do të mbajë kongresin për zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë qendrore.
Kjo hamendje e ASH-së dhe tentimi për të mbetur me çdo kusht në qeveri ka ngjallur reagime dhe kritika të shumta në rrjetet sociale. /KDP


