Pesë persona, katër të rinj dhe një shitëse ambulante, kanë mbetur të plagosur në Laç, pas një sherri që degradoi me armë zjarri mes disa personave në zonën pranë ish-gjykatës dhe Drejtorisë Vendore të Policisë.
Sherri mes të rinjve kishte nisur një ditë më parë (2 maj) për të vijuar ditën e sotme, ku pikërisht rreth orës 14:00 ata janë përplasur sërish. Pasi janë konfliktuar verbalisht dhe fizikisht, ata kanë nxjerrë armët dhe nga ngjarja mbetën të plagosur; Amarildo Ndoj, Liridon Ismaili, Daniel Gjeloshi dhe Geri Bitri.
Gjithashtu mbeti e plagosur edhe Angjelina Gjezaj, një shitëse ambulante 58 vjeçe, e cila kishte ndërhyrë për të shuar sherrin mes të rinjve, por një plumb e kapi në këmbë gjatë të shtënave me armën e zjarrit.
Të gjithë të plagosurit ndodhen në Spitalin e Traumës. Burime bëjnë me dije se dy nga pesë të lënduarit, konkretisht Amarildo Ndoij dhe Geri Bitri ndodhen në gjendje të rëndë, pasi kanë marrë plumba në zonën e legenit. Personat e tjerë ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Pas ngjarjes, policia ka shoqëruar disa persona, ndërsa autori që qëlloi me armë gjatë konfliktit të çastit, i cili është identifikuar nga ana jonë dhe vijon puna për kapjen e tij.
Ndërkohë, është gjetur edhe një makinë e djegur, që dyshohet se është ajo me të cilën ka lëvizur autori i ngjarjes pas krimit.
Vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje që tronditi Laçin.