Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot ishte në terren për të parë nga afër punimet infrastrukturore që po zhvillohen në disa pjesë të komunës. Në rrugën “Emin Duraku” po vazhdon rikonstruimi, ndërsa punime po realizohen edhe në rrugët “Dervish Hima” dhe “Parashqevi Qiriazi”.
Në këto rrugë po bëhet asfaltimi, rregullimi i trotuareve me kubëza dhe hyrjeve të banesave. Paralelisht, në të njëjtat lagje është investuar edhe në hapësirat për fëmijë, përmes rregullimit dhe vendosjes së këndeve të reja të lojërave.
“Çdo rrugë e Çairit ka rëndësinë e vet dhe çdo lagje meriton kushte më të mira. Prandaj po investojmë gjithandej. Një lagje e mirë nuk ka vetëm rrugë të rregulluara, por edhe trotuare, hapësira për fëmijë dhe kushte më të mira për jetën e përditshme. Çairi sot është një kantier ndërtimi dhe kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve, sepse po punohet dhe po investohet për komunën tonë, për lagjet tona dhe për të ardhmen,” deklaroi Mexhiti.
Punimet do të vazhdojnë në pjesë të ndryshme të Çairit, me investime që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës në çdo lagje.




