Aktakuza e ngritur të mërkurën për rastin e Banjskës, duket se do t’i hap rrrugë disa hetimeve të reja.
Një ndër to janë tenderët të cilët i ka fituar nga institucionet publike kompania “RAD D.O.O”, e cila është bërë pjesë e aktakuzës.
Kjo kompani që për pronar ka Radulle Steviq, poashtu i akuzuar, përmendet në pjesën e aktakuzës e cila ndërlidhet me shpërlarje të parave.
Përmes kompanisë “RAD D.O.O”, sipas Prokurorisë Speciale, Milan Radojiçiq, i ka siguruar paratë për ta blerë armatimin me të cilin u realizua sulmi i 24 shtatorit, që bazuar në aktakuzë, kishte synim që ta aneksonte veriun e Kosovës dhe atë pjesë t’ia bashkonte Serbisë.
Milan Radojiçiq përfitoi miliona euro nga tenderët që i morri nga qeveria e Serbisë, por edhe nga ajo e Kosovës.
Ai nisi të fuqizohej që nga vitit 2017.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, në shumicën e tenderëve të fituar nga kompanitë e afërta me Milan Radojiçiq, nuk i kryenin punët për të cilat paguheshin. Në këtë formë, Radojiçiq ia doli që brenda pak vitesh të grumbullonte miliona euro.
Gazeta Infokus ka raportuar në vazhdimësi se shumica e tenderëve për veriun e Kosovës, fitoheshin nga dy kompani, “P.T.P RAD” dhe “RAD D.O.O”
Të dyja kompanitë kishin pronarin e njëjtë, Radulle Steviq, mik i afërt i Milan Radojiçiq.
Kompania “RAD D.O.O” ia kishte dal të merrte tender edhe në kohën e qeverisë Kurti.
Ministria e Infrastrukturës, që drejtohet nga Liburn Aliu, ia kishte dhënë kompanisë së afërt me Radojiçiqin tenderin për “Mirëmbajtjen Verore dhe Dimërore 2021 – 2022 të Rrugëve nacionale dhe Rajonale”.
Mirëpo, pas raportimeve nga mediat, ministria ishte tërhequr duke e anuluar dhënien e tenderit.
Kompania “RAD D.O.O” ka qenë fituese edhe e shumicës së tenderëve të dhënë nga ministria e zhvillimit rajonal, si dhe nga katër komunat veriore, Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan e Mitrovicë e Veriut. /Gazeta Infokus