Me të nisur pushtimi i Rusisë ndaj Ukrainës, Kosova në shenjë solidarizimi iu bashkua shteteve perëndimore që dënoi veprimet e shtetit rus duke i vendosur edhe sanksione.
Përveç kësaj, në qendër të qytetit për katër vjet qëndroi edhe një flamur gjigant i Ukrainës për të shprehur mbështetjen për luftën të cilën po e kalon.
Ky flamur është hequr të dielën. Heqja e tij është publikuar në rrjetet sociale nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Ai ka thënë se kur Kosova nuk respektohet, komuna që ai udhëheq do të përgjigjet njëjtë.
“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, kryeqyteti Prishtina përgjigjjet gjithmonë njëjtë. Empatia dhe solidariteti ynë do të jenë gjithmonë me popujt që përballen me luftë, dhunë e persekutim. Sepse ne, më mirë se shumë të tjerë, e dimë çfarë do të thotë të luftosh për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet. Por asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj”, ka shkruar Rama.
Një ditë më parë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vizitoi Serbinë dhe zhvilloi takim me presidentin e saj, Aleksandar Vuçiq. Gjatë një konferenceje për media, Zelensky deklaroi se nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket njohjes së shtetësisë së Kosovës.
Kosova është prej vendeve që i ka dhënë mbështetje vazhdimisht Ukrainës prej kur ka nisur lufta me Rusinë në vitin 2022. Kosova pranoi të strehojë refugjatë ukrainas, nisi program për gazetarët ukrainas, i vendosi sanksione Rusisë dhe ofroi ndihmë humanitare dhe mjekësore.



