Euro ka shënuar një tjetër rënie në tregun vendas, duke u këmbyer me 93.07 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, niveli më i ulët historik që prej hyrjes së monedhës së përbashkët në qarkullim fizik.
Që nga fillimi i vitit 2026, euro ka humbur rreth 3.8% të vlerës ndaj lekut, ndërsa krahasuar me rekordin prej 140.4 lekësh të shkurtit 2011, rënia arrin në rreth 34%.
Sipas agjentëve të tregut valutor, rënia e euros po ndikohet nga prurjet e sezonit turistik, por tendenca është më e hershme dhe lidhet edhe me rritjen e investimeve të huaja, flukset valutore informale dhe zhvillimin e sektorit të ndërtimit e pasurive të paluajtshme.
Në tremujorin e parë të 2026, deficiti i llogarisë korrente zbriti në 228 milionë euro, 28% më pak se një vit më parë, ndërsa investimet e huaja direkte arritën një rekord prej 404 milionë eurosh, me rritje 11.6%.
Forcimi i lekut besohet se po mbështetet gjithashtu nga politika fiskale, me suficiti buxhetor që në gjashtëmujorin e parë arriti në 52.8 miliardë lekë, 60% më shumë se një vit më parë.
Banka e Shqipërisë po ndërhyn në treg duke blerë euro për të frenuar forcimin e lekut. Që nga fillimi i vitit 2024 deri në fund të tremujorit të parë 2026, banka ka tërhequr nga tregu rreth 2.2 miliardë euro. Megjithatë, ndërhyrjet nuk kanë mjaftuar për të ndalur plotësisht rënien e euros.



