Seanca gjyqësore për çështjen “Lotaria Shtetërore”, e cila duhej të mbahej sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, është shtyrë. Seanca e ardhshme është caktuar për datën 11 nëntor.
Në këtë çështje janë të akuzuar ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ish-drejtori i SHA “Lotaria Shtetërore” Përparim Bajrami dhe edhe gjashtë persona të tjerë.
Seanca e fundit u mbajt më 30 tetor, kur dëshmoi Andrej Krstevski, këshilltar për implementimin e projekteve në AD “Loteria Shtetërore”, i cili më parë kishte qenë anëtar i Bordit Drejtues dhe Mbikëqyrës, si dhe zëvendësdrejtor i ndërmarrjes. Ai dëshmoi për mënyrën e marrjes së vendimeve në ndërmarrje dhe procedurën e blerjes së terminaleve VLT.
Duke u përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë në lidhje me blerjen e terminaleve VLT, dëshmitari deklaroi se për idenë ishte informuar personalisht nga Bajrami dhe shtoi se për procedurën e kryer kishte mësuar menjëherë pas përfundimit të saj nga persona që ishin anëtarë të komisioneve të ngarkuara me zbatimin e procedurave.
Ndërkohë, më 3 nëntor, Këshilli Penal pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup e hoqi masën e paraburgimit për Bajramin dhe pranoi garancinë me pasuri të paluajtshme në vlerë prej 1.140.781 euro. Përveç garancisë, atij i janë caktuar edhe masa paraprake, mes të cilave heqja e pasaportës dhe paraqitja e rregullt në Gjykatë.
Përveç Grubit dhe Bajramit, të akuzuar janë edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.
Sipas aktakuzës, me tejkalimin e autorizimeve zyrtare ata i kanë shkaktuar dëm AD “Loteria Shtetërore” në shumën prej 596.125.511 denarë. Të gjithë të akuzuarit gjatë deritanishmes së procedurës janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë.
Aktakuzën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ndërsa procedurën gjyqësore e udhëheq gjyqtarja Biljana Shuplinovska-Jovevski.



