Shorti për përcaktimin e rendit në listën e vetme të kandidatëve është prolonguar për nesër. Edhe pse e njëjta ishte e përcaktuar për ditën e sotme, nuk arriti të realizohet, pasi siç thonë nga KSHZ, për shkak të rënies së sistemit në gjykatën penale, kandidatët nuk kanë arritur të sigurojnë vërtetimet me të cilat do të dëshmojnë se nuk janë të gjykuar.
Nga KSHZ ftojnë përfaqësuesit e autorizuar nga partitë politike, koalicionet dhe grupet e zgjedhësve që do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të këtij viti, që të marrin pjesë në hedhjen e shortit. Ata duhet të mbajnë me vete autorizimin nga paraqitësi i listës.
Kujtojmë se kanë mbetur edhe shtatë ditë deri në fillimin e fushatës zgjedhore. Ajo do të fillojë më 25 shtator në mesnatë dhe do të përfundojë më 13 tetor.
Më së voni deri më 21 shtator Komisionet Zgjedhore Komunale publikojnë listat e kandidatëve për anëtarë të këshillit dhe për kryetarë të komunave. Listën zgjedhore, në të cilën janë kryer të gjitha ndryshimet që dalin nga verifikimi publik, e shtypur në certifikata, KSHZ-ja e përfundon më së voni deri në 24 shtator.
Ndërkohë që nga KSHZ kanë informuar se 1 milion e 800 mijë e 705 qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet lokale, por sipas KSHZ-së, ky numër nuk është akoma definitiv. Prej tyre 12 mijë e 919 qytetarë nuk janë regjistruar në listën zgjedhore për arsye se nuk kanë vendbanim apo iu është marrë licenca për punë. Listën e përfunduar zgjedhore KSHZ-ja e nënshkruan më së voni deri më 29 shtator. Ndërkaq, Zgjedhjet e gjashta lokale janë caktuar për më 15 tetor, do të zbatohen në 3.480 vendvotime në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Më 14 tetor sipas drejtorisë për zbatimin e sanksioneve në burgjet në vend do të votojnë 2857 persona të dënuar. Ajnur Bafqari

