Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa përmes një pres konference dje prezantuan Platformën “shtetesia.mk”. Bashkim Bakiu nga Qendra Analitike e Aleancës për Shqiptarët, gjatë prezantimit theksoi se qëllimi i kësaj platforme është të identifikohen personat që ballafaqohen me këtë problem, sepse siç tha ai, Republika e Maqedonisë së Veriut ka parandaluar qytetarët të kenë qasje në të drejtat themelore të njeriut siç është kjo e shtetësisë. Ai, mes tjerash tha se përmes Platformës në fjalë do t’i mobilizojmë qytetarët dhe me rrumbullakimin e informatave nga ata, do t’i studiojnë ekspertët juridik për t’iu dhënë ndihmën e nevojshme personave që nuk kanë shtetësi, shkruan gazeta KOHA.
“Ne do të marrim një proces gjithëpërfshirës për të identifikuar personat pa shtetësi në Maqedoninë e Veriut përmes platformës shtetesi.mk. Përmes kësaj platforme ne duam të sensibilizojmë gjithë publikun dhe të mobilizojmë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që një herë e përgjithmonë të zgjidhet problemi i pa-shtetësisë. Synimi i kësaj Platforme është grumbullimi i informacioneve nga qytetarët që ballafaqohen me problemin e pa-shtetësisë”, ka deklaruar Bakiu. Nga ana tjetër, kreu i ASH-së, Ziadin Sela theksoi se ideja e Ligjit është për të qenë shteti i drejtë karshi qytetarëve. Sipas tij, është e padrejtë që mbi 2000 kërkesa të shqiptarëve për shtetësi vazhdojnë të mbeten pezull.
“Ideja e Ligjit për të qenë të drejtë, është për tu ndjerë i pranuar nga institucionet konform asaj që thuhet për çdo ditë. Ideja është që institucionet e shtetit që paguhen nga tatimet e qytetarëve, të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo të kemi Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila flitet se mban mbi 2 mijë kërkesa për shtetësi dhe të gjitha të një bashkësie etnike. Kjo Platformë do t’i nxjerr nga errësira këta njerëz”, theksoi kryetar i ASH-së, Ziadin Sela. Ai madje tha se këta qytetarë duhet të dëmshpërblehen, sepse të njëjtit nuk kanë pas të drejtë të konkurrojnë në tregun e punës dhe shteti, sipas Selës, duhet t’iu mundëson së paku një pension.
Ndërsa, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, ka ftuar të gjitha partitë politike të përkrahin ligjin në fjalë që zgjidhë problemin për qytetarët që nuk kanë shtetësi. Ai ka kërkuar nga partitë të mos e pengojnë këtë ligj, sepse qëllimi është të realizohet një e drejtë elementare njerëzore. “Kemi bërë propozim-ligjin dhe kemi ftuar partitë politike të kyçen në këtë proces. Ne kemi ftuar që edhe ata të ofrojnë propozime racionale mbi ligjin, gjegjësisht amendamente. Halli jonë është të realizojmë një të drejtë elementare njerëzore. Kërkojmë nga partitë politike të mos e pengojnë ligjin, por ta përmirësojnë atë. Në vend se Qeveria të na falënderojë për këtë, ata po e refuzojnë të njëjtin. Shteti duhet të lirohet nga mendësia shovene dhe t’i trajton në mënyrë të barabartë gjithë qytetarët e vendit”, deklaroi Afrim Gashi, kryetar i AAA.