Shoqata humanitare “Drita” nga qyteti i Dibrës, në bashkëpunim me organizatën Helping Hand nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës spitalit klinik të Tetovës i kanë dhuruar një donacion në vlerë prej 270 mijë dollarësh.
Sipas kryetarit të Shoqatës “Drita” nga Dibra, Nertil Osmani, ky donacion përmban pajisje medicinale të cilat do t’ju shërbejnë mjekëve të spitalit të Tetovës në kryerjen e punës së tyre.
Sipas mjekut Kastriot Haxhirexha, ky donacion është destinuar për Qendrën klinike spitalore të Tetovës, për shkak se kjo qendër klinike spitalore gjithnjë e më shumë po bëhet një qendër rajonale veçanërisht për qytetet shqiptare siç është Tetova, Dibra, Gostivari por edhe më gjerë. Përndryshe nga Shoqata humanitare “Drita”, nga Dibra theksuan se ky donacion nuk do të jetë i fundit, përkundrazi është një fillim, pasi që në të ardhmen kjo shoqatë do të vijojë me aktivitetet e sajë humanitare gjithnjë në shërbim të popullatës.

