Qytetarët e Shkupit edhe sot janë zgjuar në smog dhe mjegull. Stacionet matëse edhe sot kanë regjistruar nivel të lartë të ndotjes së ajrit. Ndotje më e lartë është regjistruar në Rektorat, Karposh, Qendër, Lisiçe, Milladinovci dhe Gazi Babë.
Një ditë më parë Shkupi preku majën e listës botërore për nga ndotja e ajrit, duke lënë pas vetes qytetet Kalkuta të Indisë, Daka të Bangladeshit e shumë metropole tjera botërore të njohura për nga ndotja. Matjet në Shkup tregojnë 376 mikrogram grimca kancerogjene për metër kub, shifër kjo e cila është e mjaftueshme që kryeqyteti i vendit të rangohet në vendin e parë në nivel botëror.
Kreu i Shkupit, Petre Shilegov, dje deklaroi se pjesë e masave të ndërmarra kundër ndotjes alarmante të ajrit janë aksioni për pastrimin e Shkupit, se punohet në një koncept të ri për transportin publik në pajtueshmëri me planet urbanistike të komunave me planin e përgjithëm urbanistik të Kuvendit me qëllim që të ndalohet ndotja.

