“Shkupi 2014”, një model prapavajtës. Është pranuar nga qeveria e mëparshme, e cila kishte gjithë pushtetin për të vepruar sipas ideologjisë partiake, ku sythin e kishte te degradimi i historisë së qytetit të Shkupit, që është një nga vilajetet shqiptare. Në këtë projekt, ku u vunë statujë mermeri. Statujë e gurtë. Statujë prej bronzi. Figura të huazuara nga serbët, bullgarët, grekët, të cilët u lejuan që me paranë e popullit, veçmas atij shqiptar, të përpunohen shtatoret. Populli shqiptar nuk duhet harruar se statuja e Skënderbeut, u financua nga bamirësit, poashtu statuja e Hasan Prishtinës. Ndërsa në projektin e vitit 2014, u vendosën, në shenjë simbolike tre figura shqiptare, ai i dibranëve Nexhat Agolli dhe Josif Bageri dhe Pjetër Bogdani, figura më e shquar e letërsisë së vjetër shqiptare. Një vendosje, pa cermoni dhe atë në mënyrë tinzare. Ndërsa, nënshkrues të këtij projekti ishin edhe shqiptarët, të cilët ranë dakord në këmbim të tre figurave të lartpërmendura, shkruan Almakos.
Për këtë projekt kanë ngritur zërin çdo atdhetar, por zëri i tyre ka rënë në vesh të shurdhër.
Nëse ky projekt ishte manipulim, për shumë nga ne, në syrin e një fotografi, ky projekt ka ndaluar pejsazhin urban. Fotografi Osman Demiri, bashkëbisedimin e nis me një tregim, duke dal në realitetin tonë, se edhe figurat tona kombëtare , që gjithashtu janë pjesë e këtij projekti, janë neglizhuar, dhe vendosur në hapsira të mbyllura, pa plan.
“Dikur, kur flijoheshin fëmijet dhe vajzat e bukura për lloj- lloj budallëqesh, doli një njeri i mençur dhe tha: STOP, s’ka nevojë të flijohen njerëz, në vend të tyre mund të therrni një kafshë, çfarëdo qoftë ajo për “nevojat” tuaja. Tani parashtrohet pyetja: A s’ka një njeri të mençur në rruzullin tokësor, të thotë: STOP, s’ka më nevojë të therren e të flijohen as këto kafshë të pambrojtura dhe të pafajshme për gjynahet tuaja?! Mundohuni e mos bëni mëkate, se nuk u shpëton dot flijimi i tyre!
Pa dashur të përseritem me shumë kritika që i janë bërë këtij projekti, “Shkupi 2014”, mendoj se është një çmenduri e llojit të vet, si nga ana artistike ashtu edhe nga ana ekonomike. Kurse në sy të një fotografi, i çfarëdo llojit qoftë ai, profesionistë, apo vetëm reporter turistik, objektet e këtij projekti, gjegjësisht skulpturat, janë si “telat elektrik” që pengojnë ngado që do të shkrepish. Pra, përveç pengesës për të bërë një pejsazh urban, asgjë tjetër! Sa i përket anës artistike, mbetet për të dëshiruar. Realizim i dobët dhe amatoresk (me perjashtime të vogla). Kurse, sa i përket disa figurave tona historike, që poashtu janë pjesë e këtij projekti, gjithashtu është një tallje e llojit të vet, me vendin dhe mënyrën se si dhe ku janë vendosur”, tha fotografi Osman Demiri, për Almakos.
Publicisti Ismail Arsllani dhe njëherë karikaturist, mendon se projkekti i statujave dëmtoi si fillim buxhetin e shtetit, pastaj këtë plan e quan djallëzor dhe i përgaditur nga qarqe të huaja, në dëmin tonë. Por, edhe në dëm dhe provokim pa precedencë për Greqinë, për shkak të përvetësimit të historisë greke, etj.
“Në thelb, projekti famëkeq “Shkupi 2014”, që ishte një miopi politike e qeverisjes Gruevski dhe që kaloi me miratim të heshtur të partive politike shqiptare në bashkëqeverisje, shkaktoi një dëm të madh politik në rrafshin e integrimeve euroatlantike të Maqedonisë, por dhe dëmtoi në mënyrë kriminele buxhetet e shtetit dhe varfëroi pamëshirshëm popullatën. Ndërsa, në anën tjetër, me manipulime në këtë rrafsh, siguroi një mandat të tej zgjatur garniturës në qeverisje.
Sipas mendimit tim, “Shkupi 2014” ishte një plan djallëzor edhe i qarqeve të huaja jo progresive, gjë që i pëlqeu nomenklaturës politike vendëse pushtetmbajtëse, paksa nga naiviteti politik e paksa nga përfitimet personale e grupore që do të pasonin, për të vendosur një digë të fuqishme në rrugën euroatlantike të vendit. Ky, njëherësh, do të ishte një provokim pa precedencë për Greqinë, për shkak të përvetësimit të historisë greke nëpërmjet një projekti kaq retrograd në këtë fillimshekull, për të egërsuar fqinjin jugor në procesin e zgjidhjes së kontestit për emrin, që është një nga kushtet kyçe për integrim në NATO dhe BE, gjithë me qëllim të zvarritjes së këtij procesi.
Në planin gjeostrategjik, kjo gjendje i ka shkuar për shtat edhe Serbisë, e cila dëshiron të integrohet në BE para Maqedonisë dhe i pëlqen destabilizimi i përkohshëm i Maqedonisë.
Në këtë kontekst, nuk është e rastit që Serbia kohëve të fundit reagoi ashpër për probleme inekzistente, vetëm pse Maqedonia me qeverinë Zaev pretendon reformat që rikthejnë vendin në shtigjet e proceseve integruese, por u tërhoq shpejt për shkak të reagimit të ndërkombëtarëve.
Projekti “Shkupi 2014”, me infrastrukturën dhe stilin e ndërtimit antik që nuk korrespondon me kohën e sotme brenda një përqendrimi qesharak në sheshin e kryeqendrës, shkaktoi një amulli me identitetin maqedonas, krijoi shpresa të rreme për rrënjët e këtij populli që lidhin fije me Filipin e dytë dhe Aleksandrin e madh”, tha Arsllani, për Almakos.
Ndërsa, ky projekt është realizuar dhe vazhdon me pjesët e mbetura. Në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, e gjetiu, monumentet, vizatimet, çezmat me mbishkrim shqip etj, të bërë nga artistë e mjeshtër, shekuj më parë, shkatërohen nga një dorë e zezë.
Delvina Kërluku
Almakos.com

