Alsat 2020-02-15T14:42:12+01:00
Vlera Hashani ka nisur përgatitjet për të festuar ditëlindjen e saj të katërt. Këaj radhe bashkë me shënimin “Gëzuar Ditëlindjen” në tortën e festës do të qëndroj edhe shënimi “Lamtumirë Leukemi”, sëmundje me të cilën vogëlushja u përball një kohë të gjatë. Ajo tashmë ka nisur ta marr veten, por qëndron në shtëpi duke respektuar çdo rekomandim të dhënë nga mjekët. Përballja e vajzës me leukeminë ishte periudha më e vështirë për familjen Hashani. Babai i saj, me rastin e ditës ndërkombëtare të fëmijëve me kancer që u shënua në parkun e qytetit, apelon gjithë prindërit që të marrin seriozisht fëmijët e tyre kur ankohen probleme shëndetësore.
Si prind jemi ndjerë shumë keq, Ta dërgojnë në vendet adekuate, mos ta malltretojnë fëmijën diku tjetër ose me barna popullore se kjo është sëmundje e shërueshme. Uroj që fëmija im të jetë i fundit, nuk dua të dëgjoj për dikë tjetër, shumë është vështire për një prind me pa fëmijën e vet në këtë gjendje, kemi përjetuar shumë sakrifica – deklaroi Muhamet Hashani, prind.
Për momentin, në klinikën e fëmijëve po trajtohen 20 fëmijë me kancer. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se për të gjithë të prekurit nga kanceri janë në dispozicion ilaçet më të mira për ta luftuar këtë sëmundje.
Është rritur numri i terapisë në dispozicion, ilaçet më moderne biologjike janë në klinikat tona për të gjithë pacientët e prekur nga kanceri duke përfshirë edhe fëmijët. Vijojnë përgatitjet përfundimtare për realizimin e transplantimit tek fëmijët nga dhurues jo familjarë dhe me këtë do të rrumbullaksohet një proces shumë serioz për forcimin e luftës kundër sëmundjeve malinje të fëmijët – deklaroi Venko Filipçe, ministër i shëndetësisë.
Dita botërore e fëmijëve me kancer ka filluar të shënohet nga viti 2002. Sipas OBSH-së, çdo vit mbi 300 mijë fëmijë deri në moshën 19 vjet diagnostifikohen me kancer. Numri më I madh I tyre jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Melihate Rustemi
Loading…




