Debati për marrëveshjen e huasë prej 302 milionë eurosh me SHBA-në ka sjellë reagimin e nënkryetarit të Kuvendit, Agron Gjekmarkaj. Ai shprehet se Partia Demokratike mbështet forcimin e marrëdhënieve me SHBA-në dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë, por kundërshton mënyrën se si, sipas tij, kryeministri Rama e miratoi marrëveshjen në Parlament.
Gjekmarkaj akuzoi qeverinë se e kaloi marrëveshjen pa respektuar procedurat parlamentare dhe pa u vënë deputetëve në dispozicion dokumentacioni i plotë.
“Ne jemi pro marrëveshjes me SHBA-në, sepse ajo lidhet me sigurinë e vendit, me Aleancën e NATO-s dhe me interesin jetik të shqiptarëve. Por jemi kundër mënyrës arrogante dhe antikushtetuese me të cilën Edi Rama e kaloi atë në Parlament, duke detyruar deputetëve të votojnë pa pasur në dispozicion dokumentet dhe pa respektuar procedurat që garanton Kushtetuta”, u shpreh ai.
Gjekmarkaj kritikoi gjithashtu qeverinë për korrupsionin dhe menaxhimin e fondeve publike, duke thënë se paratë e humbura nga aferat korruptive mund të përdoreshin për forcimin e mbrojtjes së vendit.
“Nëse paratë e shpërdoruara në aferat e inceneratorëve dhe në raste të tjera abuzimi do të ishin mbrojtur nga shteti dhe jo grabitur nga korrupsioni, Shqipëria do të kishte pasur shumë më herët mundësi të përmbushte objektivat financiare të kërkuara nga NATO për mbrojtjen.Siguria kombëtare nuk ndërtohet vetëm me marrëveshje, por edhe me shtet ligjor, me institucione të forta dhe me përgjegjësi ndaj çdo qindarke të taksapaguesve shqiptarë”, deklaroi nënkryetari i Kuvendit.
Në fund, ai theksoi se qëndrimi i PD-së është pro marrëdhënieve me SHBA-në, NATO-s dhe forcimit të mbrojtjes, por kundër shkeljes së procedurave parlamentare.
“Prandaj qëndrimi ynë është i qartë: po aleancës me SHBA-në, po NATO-s, po forcimit të mbrojtjes së Shqipërisë, por jo shkeljes së Kushtetutës dhe kthimit të Parlamentit në një fasadë të pushtetit”, perfundoi ai.
DEKLARATA E PLOTË E NËNKRYETARIT TË KUVENDIT, AGRON GJEKMARKAJ:
Shqipëria nuk mund të jetë kurrë kundër forcimit të mbrojtjes së saj dhe kundër marrëdhënies së shenjtë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përkundrazi, Partia Demokratike e ka dëshmuar me vepra se orientimi euroatlantik është themeli i politikës së saj kombëtare.
Ne jemi pro marrëveshjes me SHBA-në, sepse ajo lidhet me sigurinë e vendit, me Aleancën e NATO-s dhe me interesin jetik të shqiptarëve. Por jemi kundër mënyrës arrogante dhe antikushtetuese me të cilën Edi Rama e kaloi atë në Parlament, duke detyruar deputetëve të votojnë pa pasur në dispozicion dokumentet dhe pa respektuar procedurat që garanton Kushtetuta.
Një Parlament serioz nuk është një zyrë vulosjeje për urdhrat e qeverisë. Deputeti nuk mund të votojë mbi të panjohurën. Respekti për aleatët tanë nuk tregohet duke shkelur rregullat e shtetit, por duke dëshmuar se Shqipëria është një demokraci funksionale dhe një partner i denjë.
Partisë Demokratike askush nuk mund t’i japë leksione për Perëndimin dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte kjo forcë politike, nën drejtimin e Sali Berishës, që e çoi Shqipërinë drejt anëtarësimit në NATO dhe e vendosi përfundimisht vendin në familjen euroatlantike. Ishte PD ajo që hapi rrugën e rikthimit të Shqipërisë në Perëndim dhe të forcimit të miqësisë historike me SHBA-në.
Sot, ne mbështesim çdo hap që forcon sigurinë kombëtare, por kërkojmë që edhe shteti të trajtohet me seriozitet. Nuk mund të kërkohet sakrificë nga qytetarët dhe investim për mbrojtjen, ndërkohë që miliona euro humbasin në korrupsion dhe në afera që kanë dëmtuar rëndë financat publike.
Nëse paratë e shpërdoruara në aferat e inceneratorëve dhe në raste të tjera abuzimi do të ishin mbrojtur nga shteti dhe jo grabitur nga korrupsioni, Shqipëria do të kishte pasur shumë më herët mundësi të përmbushte objektivat financiare të kërkuara nga NATO për mbrojtjen.
Siguria kombëtare nuk ndërtohet vetëm me marrëveshje, por edhe me shtet ligjor, me institucione të forta dhe me përgjegjësi ndaj çdo qindarke të taksapaguesve shqiptarë.
Prandaj qëndrimi ynë është i qartë: po aleancës me SHBA-në, po NATO-s, po forcimit të mbrojtjes së Shqipërisë, por jo shkeljes së Kushtetutës dhe kthimit të Parlamentit në një fasadë të pushtetit.



