Konsumi i familjeve shqiptare është në stanjacion të plotë, teksa rritja e çmimeve ka fshirë totalisht rritjen e fuqisë blerëse. Instituti i Statistikave raportoi se shpenzimet e një familje shqiptare u rritën me 2.3 për qind, gjatë vitit të kaluar krahasuar me një vit më parë.
Por kjo shifër është rritje nominale. Nëse përkthehet në terma reale duke u zhveshur nga rritja e çmimeve, atëherë rezulton se konsumi i familjeve gjatë vitit të kaluar ishte në stanjacion të plotë, duke u rritur me vetëm 0.1 për qind.
“Kriza e tryezës: Familjet shqiptare shtrëngojnë rripin
Në terma të thjeshtë ekonomikë: shqiptarët nuk po jetojnë më mirë, nuk po blejnë më shumë mallra dhe nuk po konsumojnë më shumë shërbime. Ata thjesht po detyrohen të nxjerrin më shumë para nga xhepi për të blerë saktësisht të njëjtat gjëra që blinin një vit më parë. Rritja e buxhetit nuk ka ardhur nga shtimi i luksit, por nga shtrenjtimi i jetesës.
Ankthi i bukës dhe perimeve: Mbi 40% e buxhetit shkon për mbijetesë
Analiza e strukturës së shpenzimeve dëshmon se familjet shqiptare po shkojnë drejt një ngurtësimi të mëtejshëm të rripit, duke rënë pre e atij që në ekonomi njihet si Ligji i Engel-it: sa më e varfër të jetë një shoqëri, aq më shumë shtohet pesha e ushqimeve në buxhetin e saj.
Grupi “Ushqime dhe pije jo-alkoolike” gllabëron plot 39,8% të të gjithë buxhetit familjar (mesatarisht 37.859 lekë në muaj). Kjo peshë jo vetëm që mbetet alarmante për një vend që synon BE-në (ku mesatarja europiane është nën 15%), por ka pësuar rritje në krahasim me vitin 2024, ku zinte 39,6%. Brenda tryezës, goditjen kryesore e japin produktet e mbijetesës: perimet (20,2%), mishi (16,6%) dhe bulmeti (15,5%).
“Kriza e tryezës: Familjet shqiptare shtrëngojnë rripin
Rritja e shpenzimeve për ushqime është rezultat i drejtëpërdrejtë i shtrenjtimit të këtyre produkteve në treg më shumë se sa rritja e të ardhurave të qytetarëve.
Meqenëse buka dhe perimet nuk mund të eliminohen nga përditshmëria, familjet po bëjnë sakrifica të rrezikshme diku tjetër. Viktima kryesore e çmimeve të supermarketeve është Shëndeti.
Shpenzimet për barna dhe vizita mjekësore kanë pësuar rënien më të madhe në strukturën e buxhetit familjar, duke u tkurrur nga 3,8% në vitin 2024 në vetëm 3,4% në vitin 2025. Shqiptarët po shtyjnë mjekimet për të siguruar tryezën.
Shifrat e vitit 2025 dëshmojnë atë që qytetarët e ndjejnë çdo ditë në xhepat e tyre kur shkojnë në supermarket apo kur paguajnë faturat.
Rritja nominale prej 2,3% është thjesht një iluzion statistikor. Pa masa për të kontrolluar shtrenjtimin e produkteve të shportës, familjet shqiptare do të vazhdojnë të vrapojnë në vend: duke shpenzuar më shumë, por duke marrë më pak.



