Nëntë shoferë janë privuar nga liria, ndërsa një tjetër është thirrur në bisedë zyrtare gjatë 24 orëve të fundit në lokacione të ndryshme në vend, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “drejtim i pakujdesshëm i automjetit”, sipas nenit 297-a të Kodit Penal.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), tetë prej shoferëve kanë drejtuar automjetet pa e dhënë provimin e vozitjes.
Bëhet fjalë për I.Xh. (34), O.E. (21) dhe N.T. (20), të gjithë nga Shkupi, E.D. (19) nga Haraçina e Shkupit, një 17-vjeçar nga Studeniçani, S.D. (65) nga Serbia, një 16-vjeçar nga Velesi dhe Sh.A. (48) nga Prilepi. Sipas MPB-së, ky i fundit ka drejtuar automjetin edhe nën ndikimin e alkoolit.
Ndërkohë, V.D. (31) nga fshati Razllovc i Dellçevës është ndaluar pasi ka drejtuar automjetin pavarësisht se ndaj tij ka pasur masë aktive ndalimi për drejtimin e automjetit.
Rast tjetër është evidentuar me shtetasin holandez D.G.T. (24), i cili është kapur duke drejtuar me shpejtësi prej 175 kilometra në orë, në një pjesë të rrugës ku shpejtësia maksimale e lejuar është 80 kilometra në orë.
Nga MPB bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rasteve do të dorëzohen kallëzimet përkatëse penale.
“U bëjmë apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat e komunikacionit, të mos drejtojnë automjet pa e dhënë provimin e vozitjes, nëse u është shqiptuar masë ndalimi për drejtimin e automjetit ose nëse janë nën ndikimin e alkoolit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Nga ministria apelojnë për respektimin e rregullave të komunikacionit, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik.



