“Gratë pa Kufij” (Women without borders) organizatë nga Austria në bashkëpunim me Analytica Think Tank-un në Shkup dhe financuar nga Ambasada e SHBA-ve, vitin e kaluar, lansuan programin “Shkollat për Nëna: Prindërit për Paqe” (MotherSchools: Parenting for Peace).
Ky program u fokusua në ofrim të mjeteve të nevojshme për nënat me qëllim të intervenimit efikas tek fëmijët e tyre apo tek të tjerët në shoqërinë e tyre të cilët janë në rrezik nga radikalizmi, edhe atë duke ju ndihmuar: të thyejnë heshtjen për këtë tabu temë, të kuptojnë më mirë nevojat dhe dobësitë e të rinjve, si prindër ti përmirësojnë aftësitë e duhura për t’iu kundërvënë këtij fenomeni si dhe të ndërtojnë vetëbesim që këto njohuri ti shprehin në vepër.
Ky program u zhvillua nga organizata “Gratë pa Kufij” në 2008-ën dhe që nga atëherë është zbatuar në më shumë se 11 shtete dhe ka trajnuar më shumë se 1800 nëna. Gjatë periudhës 2016-17, ky program u zbatua edhe në Shkup në komunën e Çairit.
Dje në hapësirat e komunës së Çairit u mbajt ceremonia e diplomimit për t’i nderuar nënat pjesëmarrëse në këtë program të cilat kanë demonstruar përkushtim të vërtetë për ti ruajtur familjet dhe komunitete e tyre. Rreth 30 nënave iu dhanë certifikata për përfundimin e suksesshëm të trajnimit 10 javësh, duke i pajisur ato me dije dhe mjete për njohje dhe reagim të shpejtë ndaj shenjave të hershme të radikalizmit.
Ceremonia e diplomimit u hapë me fjalimin e zonjës Edith Shlaffer, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e organizatës “Gratë pa Kufij”, Micaela Schweitzer Bluhm – zëvendës- udhëheqëse e misionit – Ambasada e SHBA-së në Maqedoni dhe kryetarit të komunës z. Izet Mexhiti. Në këto fjalime u theksua rëndësia e rolit të nënës në luftimin e këtij fenomeni dhe rëndësia e mbështetjes institucionale në ngritjen e kapaciteteve vendore për ballafaqim me këtë sfidë shoqërore.
Temat e trajtuara gjatë javëve të trajnimit përfshinë rolin e nënës në familje dhe shoqëri, se si nëna mund të ketë ndikim në siguri dhe se si të kyçen në mënyrë aktive të kontribuojnë në çështjet e sigurisë. Pjesa tjetër e trajnimeve iu dedikua ngritjes së vetëdijes tek nënat se si më mire të kuptojnë procesin e zhvillimit të mendimeve tek më të rinjët, kuptimin e radikalizmit si fenomen, çfarë e shtyen një të ri në atë rruge, dhe si ti njohin shenjat e hershme të radikalizmit tek fëmijët e tyre dhe se çfarë masa parandaluese mund të ndërmarrin si prindër.
Nënat pjesëmarrëse në sesionet trajnuese “Shkollat për Nëna” ishin nëna të cilat veçse kanë vërejtur shenja të para të radikalizmit tek fëmijët e tyre, si dhe nëna të brengosura dhe të interesuara të mësojnë diç më tepër rreth kësaj teme. “Shkollat për Nëna” shërbyen si një vend i sigurt për nënat që të ndajnë përvojat e tyre personale mes tyre njëkohësisht duke shërbyer si një mjet shtesë mësimi ku nënat mund të mësonin nga përvoja konkrete nga vendi.
Të gjitha sesionet trajnuese “Shkollat për Nëna” u mbajtën në hapësirat e komunës së Çairit e cila gjatë gjithë fazës implementuese të projektit dha mbështetje logjistike të pakursyeshme.

