31 March 2018 / 16:16
Fati i ndërtimit të shkollës fillore në lagjen Vizbeg të Shkupit sillet nëpër sirtarët e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve. Nga kjo ministri nuk zbulojnë asnjë detaj nëse kanë marrë për shqyrtim këtë dokumentacion i cili është edhe çelësi I zgjidhjes së problemit në fjalë. Zëdhënësi I Transportit dhe Lidhjeve, Kire Kocevski ndonëse premtoi se do ti përgjigjet pyetjeve të Alsat për këtë çështje ai deri në këto momente mbeti I pakapshëm. Nga ana tjetër, kreu I Butelit, Velimir Smilevski në territorin e të cilit duhet të ngritët shkolla e Vizbegut tha se përgjigjen e fundit duhet ta jep institucioni i lartpërmendur.
Më 13 shkurt Ministria e Arsimit ridërgoi dokumentacionin e plotë në Ministrinë e Transportit dhe lidhjeve dhe presim që shumë shpejt të vendoset në rend dite të Qeverisë për shkak se shkollën në fjalë do ta ndërtojë Qeveria e vendit. Për kohë të shkurtër presim që do të kalojë në seancën të Qeverisë, nuk ka asnjë problem teknik, çdo gjë është zgjidhur – deklaroi Velimir Smilevski, kryetar i komunës Butel.
Stërzgjatja e procedurës për shkollën në Vizbeg po vazhdon të vështirësoj punën në shkollën fillore “26 korriku” në Shuto Orizarë ku mbi 800 nxënës të kësaj shkolle vijnë nga Vizbegu. Nga udhëheqësia e shkollës thonë se rrezikohet zhvillimi i mësimit në tre turne për shkak të numrit të madh të nxënësve.
Mbi 10 paralele regjistrohen në vit në shkollën “26 korriku”, kështu që çdo vit rritet numri I nxënësve në paralelet e para. Sërish besoj që do të ketë problem në shkollën tonë sepse nuk do të ketë lokal edhe kështu do të ballafaqohet me probleme të mëdha. Përndryshe edhe ato klasa që janë nëpër bodrume nuk I plotësojnë kushtet edhe besoj se do të punohet prap me tre turne edhe kjo e vështirëson procesin edukativo arsimor. Çfarë do të bëhet më tutje do t’ia lëmë Komunës së Butelit – deklaroi Halit Sejdiu, Sh.f “26 korriku”.
Nxënësit e lagjes Vizbeg vite me radhë përballen me mungesën e një shkolle fillore me mësim në gjuhen shqipe. Mbi 800 nxënës të kësaj lagje janë të detyruar që mësimin ta ndjekin nëpër shkolla fillore të komunave të ndryshme si ajo e Çairit, Butelit, Karposhit dhe Shuto Orizares. Numri më i madh i nxënësve i takon komunës së Butelit ndërkohë që mësojnë në shkollën fillore “26 korriku” të komunës Shuto Orizarë e cila për momentin numëron mbi 2 mijë nxënës.
Melihate Rustemi