Mungesa e energjisë elektrike, është shkaku për ndërprerjen e procesit edukativo-arsimor në shkollën fillore “Bedri Tairi”, të Svillares së poshtme. Sot është dita e katërt që në këtë shkollë është ndërprerë mësimi, për shkak se ngrohja qendrore që është e instaluar në këtë shkollë funksionon me rrymë elektrike dhe siç sqaron edhe drejtori Naim Rexhepi, është e pamundur që në këto temperatura të ulëta nxënësit të zhvillojnë mësimin.
“Shkolla jonë për momentin është duke u përballur me problemin kryesor që e ka me rrymën elektrike dmth shkaku i gjithë problemit, meqenë se shkollën e kemi me nxemje qendrore dhe shkaku i mospasjes rrymë elektrike nxemja qendrore nuk na funksionin. Kjo është arsyeja që shkolla tashmë 4 ditë të plota nuk e vijon mësimin rregullisht”, ka deklaruar drejtori shkollës Naim Rexhepi.
Rexhepi më tutje sqaron se ata kanë intervenuar dhe kanë dërguar edhe kërkesë tek EVN, por përgjigja që kanë marrë nga ato është se do të rregullohet, pastaj lëshojnë rrymën disa minuta dhe pas disa minutash ndërpritet përsëri.
“Neve si shkollë kemi bërë gojarisht por edhe me shkrim nga EVN-ja, tek stacioni që ndodhet në Gjorçe Petrov, që të sanohet problemi sa më shpejtë, që ne të mund ta vijojmë procesin edukativo-arsimor…rrymë elektrike kemi nga 5 min, 10 min dhe pastaj ndërprehet…Kemi pasur kontakt edhe me drejtorin e institucionit në Gjorçe Petrov që është për rrymë elektrike, është kërkuar nga ai që të sanohet problemi …Në biseda telefonike ato e zgjedhin çdo ditë….Tani në bisedën telefonike sot që e patëm me drejtorin tha që do të intervenohet, ja u intervenua, se sa do të zgjas tani kjo, nuk jam i sugurt”, tha më tej ai.
Naim Rexhepi njoftoi se nëse vazhdon kështu ky problem atëherë ata do të jenë të detyruar ta ndërprejnë edhe për më gjatë mësimin, deri në momentin që të zgjidhet problem, ndërsa orët e humbura do t’i zëvendësojnë ditëve të shtuna. Televizioni Shenja tentoi të marrë përgjigje edhe nga kompania EVN, por deri tani kanë qenë të pakapshëm.
Emine Ismaili /SHENJA/