26 March 2018 / 16:15
Për më shumë se 18 vjet, objekti i shkollës fillore në fshatin Sellcë të Tetovës mbetet i papërfunduar. Ai ka filluar të ndërtohet në vitin 2000 dhe është ndërprerë për shkak të rrëshqitjes së dheut. Për pasojë, rreth 350 nxënës të fshatit Sellcë, mësojnë në shkollën e vjetër 70 vjeçare, njëra pjesë e së cilës, ende ka dysheme dërrasash që lyhen me vaj të djegur që është i dëmshëm për shëndetin e nxënësve
Kjo shkollë është e vjetër, e ndërtuar në vitin 1954 diku, dhe klasat kanë qenë me dysheme me dërrasa dhe kohë pas kohe lyhen me vaj shkaku që të mos ngrihet pluhur shumë që të thithin nxënësit. Kuptohet se dërrasat dhe lyerja e tyre nuk është e shëndetshme dhe këtë e dinë edhe organet kompetente, po unë si drejtor bëj përpjekje maksimale – tha Aziz Ramadani, Drejtor i Sh.F. Rilindja – Sellcë.
Ndërtimi i shkollës fillore në Sellcë të Tetovës, ngjalli dyshime lidhur me keqpërdorime të mundshme, për të cilat, nga ish Ministri i Arsimit u ngrit edhe padi ndaj realizuesve të projektit.
“E njëjta gjë ndodh edhe me shkollën fillore të fshatit Reçicë e Vogël. Që prej pesë vitesh premtohet se do të ndërtohet përmes një donacioni kinez ose përmes fondeve të Qeverisë, Çdo vit e më tepër, sidomos kur ka zgjedhje, këta premtime intensifikohen, por siç e shihni, kanë mbetur vetëm premtime”.
As nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe as nga Komuna e Tetovës, nuk precizojnë kohën se kur do fillojë ndërtimi i këtyre dy shkollave.
Ne, me shkollën e Sellcës dhe të Reçicës që veçmë i kemi në leje të plotfuqishme jemi konkurrent serioz si komunë për t`i vendosur në funksion të ndërtimit apo procesit të ndërtimit që të dy objektet. Fatkeqësi e madhe është që ky proces nuk është bërë si duhet dhe pasojat i heqin të gjithë – u shpreh Teuta Arifi. Kryetare e komunës së Tetovës.
Për shkollën në fshatin Sellcë por edhe në vendbanime të tjera ku është e nevojshme që të intervenohet dhe konkretisht të investohet në aspekt të infrastrukturës shkollore, së shpejti pritet të dalim me propozim dhe zgjidhje konkrete – theksoi Arbër Ademi. Zv.ministër i Arsimit.
Këto nuk janë shkollat e vetme ku mësimi zhvillohet në shqip dhe ku nuk ka kushte të përshtatshme për zhvillimin e mësimit. Krerët e dikasterit të Arsimit edhe më herët kanë premtuar zgjidhje.
Bashkim Sulejmani


