14 Dhjetor
Komuna e Çairit ka kërkuar edhe 125 milionë denarë, mjete plotësuese për ndërtimin e sheshit “Skënderbeu” në Shkup. Këtë e bëri të ditur ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu i cili tha se kjo shumë e mjeteve parashikohet në Buxhetin e ministrisë në fjalë për vitin 2018. Siç u përgjigj Fazliu, kjo shumë është kërkuar për shpenzimet shtesesë të cilat janë paraqitur gjatë zhvillimit të punimeve ndërtimore të sheshit Skënderbeu.
Ndërsa milionat pritet të kalojnë në xhirollogari të Komunës së Çairit, në sheshin“Skënderbeu” tashmë kanë nisur të vërehen edhe dëmtimet e para.
Ndërkohë, nga komuna e Çairit shfajësohen duke thënë se mjetet e miratuara nga ana e Qeverisë për Sheshin Skenderbeu, kanë të bëjnë me zbatimin e dispozitave të përcaktuara në kontratën për ndërtimin e fazës së dytë të Sheshit, ku thuhet se pagesa e punëve të realizuara gjatë vitit 2017 do të bëhet në vitin 2018.
Vlera e përgjithshme e mjeteve të miratuara prej 125 milion denarëve është shuma e përgjithshme që përfshin pagesën e tre kategorive: situacioneve të rregullta të punës (pagesën e punëve të rregullta të papaguara deri më tani), situacioneve për punë shtesë dhe situatave për punë të paparashikuara gjatë procesit të ndërtimit të fazës së dytë të Sheshit Skenderbeu, ashtu siç parashihet në kontratë- bëjnë me dije nga Komuna e Çairit.
Sheshi “Skenderbeu” ishte paraparë të ndërtohet në tre faza, me një kosto të përgjithshme prej afro 10 milionë eurove. Faza e parë përfundoi në vitin 2013 ndërsa faza e dytë përfundoi në muajin nëntor të këtij viti ku u ndërtua një tarrace në formë mbikalimi pranë bustit të Skënderbeut, me të cilën mbulohet një pjesë e bulevardit “Goce Dellçev”. Ndërkohë faza e tretë e projektit për të cilën ende nuk kanë filluar punimet, parasheh ndërtimin e parkingut nëntokësor, por që akoma nuk dihet shuma e parave që do të kërkohen për përfundimin e së njëjtës.
Melihate Rustemi

