Shtetet e Bashkuara e kanë prezantuar pakon e ndihmës ushtarake për Tajvanin në vlerë të 345 milionë dollarëve, e cila besohet se do ta forcojë kapacitetin e ishullit për ta luftuar ndonjë pushtim eventual nga Kina, raportojnë mediat e huaja.
Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë tha se paketa do të përfshijë mbrojtjen, edukimin dhe trajnimin për tajvanezët. Uashingtoni do të dërgojë pajisje për inteligjencën, vëzhgim dhe zbulimin, si dhe municion për armë të vogla dhe do të tërhiqet nga rezervat e SHBA-së, për të mundësuar dërgimin e saj të shpejtë në Tajvan.
Një zëdhënës i Pentagonit ka thënë se përmes kësaj ndihme “Tajvani do të mund ta rrisë mbrojtjen tani dhe në të ardhmen”.



