Për shkak të mungesës së dy prej 13-të të akuzuarve në rastin “Dhunë dhe shuplaka në komunën Qendër”, seanca e sotme gjyqësore është shtyrë për më 20 nëntor. Prokurorja e PSP-së Fatime Fetai për shkak të mungesës së paarsyeshme të njërit prej të akuzuarve kërkoi që ai në seancën e ardhshme të shoqërohet nga policia. Në Gjykatën penale të Shkupit sot ishin të pranishëm lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, i cili është i akuzuari i parë, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski dhe deputetja e VMRO-DPMNE-së Daniella Rangelova. Gjykatësja Tatjana Mihajlova në seancën gjyqësore, prokurores Fetai i dha parashtresa nga Gjykata e Apelit me të cilat sqaron pse në seancën e kaluar gjyqësore nuk ka qenë lëndë në Gjykatë. Sipas Fetait ky është vetëm një tentim për arsyetim të gjykatëses për zvarritje të panevojshme të procedurës.
Para fillimit të gjykimit, drejtori i ndërmarrjes publike NP Parkingje të komunës Qendër, Sasha Bogdanoviq tha se drejtësia është e ngadalshme, por e arritshme. “Thyerja skandaloze e hapësirave të Komunës Qendër dhe shuplakat e porositura për kryetarin e komunës Andrej Zhernovski nga kryeministri i atëhershëm Nikolla Gruevski kanë ndodhur në vitin 2013. ‘Bombën’ në të cilën Gruevski kërkon shuplaka dhe protesta para Komunës Qendër e publikova në vitin 2015, ndërsa e ka dëgjuar tërë opinioni i Maqedonisë dhe më gjerë”, tha Bogdanovski.

