Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së, Besnik Tahiri, ka thënë se partia e Ramush Haradinaj është e para në sondazhet që janë bërë kohëve të fundit. Ka thënë se kanë dalë 22 për qind të përkrahjes popullore ndërsa Haraadinajn e përkrahin 55 për qind e tyre.
“Në bazë të sondazheve të fundit, të jashtme, të opinionit publik, sikur zgjedhjet të mbaheshin sot, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të fitonte mbi 22 përqind të votave. Kjo do ta nxirrte AAK-në, partinë numër 1 në vend, pra fituese të zgjedhjeve. Sipas sondazhit, kjo lidhet fortë me përkahjen që qytetarët i japin punës dhe politikave qeverisëse të Kryeminstrit Ramush Haradinajt, me përkrahje të mbi 55% të tij, dukshëm larg liderëve të partive tjera”, ka shkruar Tahiri.
Ky zyrtar i AAK’së s’ka treguar se cila kompani ka bërë këtë hulumtim dhe as sa respodent dhe as cilat kanë qenë pyetjet e bëra në terren.
Sidoqoftë, ai ka thënë se partitë tjera janë në rënie.
“Kur kësaj i shtohet fakti që projeksionet e sondazhit flasin për trend në rritje të Aleancës, atëherë presioni mbi ne si subjekt është pozitiv, pra që të bëjmë më shumë, ndërsa mbi disa parti tjera është presion negativ. Ato duhet të bëjnë çmos ta ndalin rënien, të mos dështojnë”, ka shtuar ai.
“Aleanca nuk i referohet sondazheve të jashtme, pa i ekzaminuar, validuar dhe krahasuar ato me sondazhet e brendshme të saj. Si Aleancë, kur shohim këtë mbështetje në rritje për ne dhe për Lidershipin e Ramush Haradinaj, ne ju garantojmë që nuk do të ndalemi në përpjekjet dhe kursin e qartë, në shtyrjen përpara të interesave të shtetit dhe të qytetarëve tanë”, ka shtuar ai.
Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmri Limaj dhe Isa Mustafa kanë kërkuar të shkohet në zgjedhje dhe të shpërndahet Parlamenti. Kjo pritet të ndodhë javën e ardhshme kur edhe mblidhet Kryesia e Kuvendit.
Ramush Haradinaj dha dorëheqje dy muaj pa i mbushur dy vite të Qeverisë së ndërtuar nga AAK, PDK, NISMA e AKR. Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte. Kohëve të fundit, Haradinaj prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë.
Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik. Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendi.
LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt. Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.
Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe. Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.
Ramush Haradinaj është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës. Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm. Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues. Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale. ./GazetaExpress/



