Rritet mundësia që Malta të jetë kryesuesja e ardhshme e OSBE-së nga 1 janari 2024. Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, informoi se në Vjenë u morën vendime të rëndësishme, të cilat hapën rrugën për arritjen e konsensusit për kryesues të ri të organizatës pas përfundimit të mandatit njëvjeçar të Maqedonisë në fund të vitit, shkruan Alsat.
Më parë, vetoja ruse për kandidaturën e Estonisë ishte pengesë. Osmani ka njoftuar në rrjetet sociale se vendimi për kryesimin e Maltës do të merret zyrtarisht në mbledhjen e ardhshme të OSBE-së në Shkup këtë javë.
“E dini që Estonia është kandidate zyrtare. Dihet gjithashtu se ka vende që janë kundër kandidaturës. Kandidatura e Maltës u propozua për kryesimin e OSBE-së si alternativë. Mendoj se jemi të përgatitur mirë për këtë”, tha Robert Abella– kryeministër i Maltës.
Ndërkohë, Komisioni Evropian u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të lejojnë fluturimin e avionit shtetëror rus dhe zbarkimin e ministrit të jashtëm Sergej Llavrov në Shkup. Sipas Brukselit, kjo nuk do të përbënte shkelje të sanksioneve të BE-së, pasi është ngjarje e rëndësishme me karakter shumëpalësh. Nga ana tjetër, Llavrov konfirmoi se është e mundur të fluturohet mbi Bullgari.
“Do të ishte e drejtë që vendet të japin leje që aeroplani i Federatës ruse të fluturojë mbi territorin e tyre dhe autoritetet në Maqedoninë e Veriut të lejojnë Llavrov të ulet dhe të marrë pjesë drejtpërdrejt në Maqedoni. Kjo nuk do të përbënte shkelje të sanksioneve”, u shpreh Peter Stano– zëdhënës i KE-së.
“Maqedonia na ftoi të marrim pjesë në takimin e ministrave të punëve të jashtme të OSBE-së. Thuhet se Bullgaria i ka premtuar Maqedonisë të hapë hapësirën e saj ajrore. Nëse e bën, do të jemi atje”, ka thënë Sergej Llavrov – Ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, tha se është mirë që Llavrov do të ketë mundësinë të dëgjojë drejtpërdrejt pikëpamjet evropiane për, siç tha ai, sjelljet shkatërruese të Rusisë.
“Është gjithmonë mirë të marrësh pjesë për t’u përballur me Llavrovin ballë për ballë për aktivitetet e paligjshme të regjimit të Kremlinit dhe gënjeshtrat që ai përhap. Çdo forum ndërkombëtar ku mund të flasim ballë për ballë, t’i shprehim pikëpamjet tona dhe t’i ballafaqojmë me sjelljet e tyre të paligjshme, gënjeshtrat dhe manipulimet e tyre është sigurisht i mirë, pasi është pjesë e qasjes sonë ndaj konfliktit që Rusia ka shkaktuar në Ukrainë”, tha Peter Stano– zëdhënës i KE-së.
Stano bëri të ditur se është e mundur që në takimin në Shkup të marrë pjesë edhe Borell. Takimi fillon me darkë joformale të mërkurën në mbrëmje, ndërsa pjesa zyrtare është të enjten dhe të premten./ Alsat.mk


