Alsat 2019-08-07T13:57:00+02:00
Kushtet momentale në tregjet e gjelbra të vendit nuk janë të përshtatshëm për shitjen e të gjitha prodhimeve ushqimore, posaçërisht të atyre të mishit ose qumështit. Këto të fundit prishen lehtë për shkak se nuk mbahen në temperaturë adekuate. Edhe blerësit anashkalojnë këto prodhime dhe nuk i blejnë në treg sepse shpesh herë të njëjtat kanë rezultuar të prishura.
“A blini prodhime qumështi ose mishi në Pazar? Jo, jo ato nuk i blej në Pazar se kur po i blejmë në Pazar krejt të prishura po dalin, koha e nxehtë, po prishen menjëherë”.
“Prishen të gjitha ato që janë për të ngrënë, domatet e specat nëse qëndrojnë pak më gjatë prishen. A blini ndonjëherë mish edhe qumësht në Pazar? Jo, unë nuk I blej në Pazar se nuk janë të garantuara”.
Edhe punonjësit e tregjeve shprehen të revoltuar për kushtet në të cilat punojnë. Madje, ata ankohen për humbje të mëdha në biznesin e tyre.
“Edhe për këto ka problem, edhe këto duan temperaturë adekuate, shikoni, bananet çahen prej të nxehtit…Nuk qëndrojnë shumë bananet, 2-3 ditë maksimum dhe hidhet ajo”.
“Nga I nxehti kemi shumë humbje, vyshken dhe thahen menjëherë. E lëmë në anën tjetër për ta shitur, nuk shitet sepse thonë nuk është i freskët. Majdanozi është shumë i ndjeshëm, edhe karota nxihet shpejt nga i nxehti. Nëse janë të ekspozuar direkt në diell edhe domatet zbuten shpejt”.
Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njoftojnë se kanë obliguar të gjithë operatorët e ushqimit që merren me shitjen e prodhimeve që prishen lehtë të sigurojnë pajisje adekuate për mirëmbajtjen e të njëjtave, si frigorifer dhe kondicioner ne vendet ku shiten ushqime të tilla. Deri në muajin prill, Agjencia në fjalë ka kryer gjithsej 23.392 kontrolle në qarkullimin e brendshëm, pas çka janë konstatuar dhe shqiptuar 2.555 masa. Ndërsa, vetëm gjatë muajit maj, më shumë se 7 tonë ushqim jo i sigurt me prejardhje nga kafshët dhe prejardhje të tjera kanë shkatërruar inspektorët e ushqimit, respektivisht veterinerët oficial dhe operatorët e ushqimit.
Melihate Rustemi
Loading…



