Ministria e Punëve të Brendshme u bëri thirrje nxënësve që planifikojnë të aplikojnë në thirrjen publike për pranim në Shkollën e Mesme Policore që të mos çregjistrohen nga shkollat e mesme ku aktualisht ndjekin mësimin.
Nga MPB sqarojnë se kandidatët që kanë përfunduar vitin e parë dhe të dytë në ndonjë shkollë të mesme nuk duhet të ndërmarrin asnjë hap për çregjistrim gjatë procesit të aplikimit dhe përzgjedhjes.
Po ashtu, Ministria informon se dokumentacioni i nevojshëm për aplikim duhet të dorëzohet në origjinal ose si kopje e vërtetuar te noteri.
Pas përzgjedhjes së kandidatëve, Ministria e Punëve të Brendshme do të lidhë marrëveshje për shkollim me nxënësit e pranuar dhe me prindërit, kujdestarët ose përfaqësuesit e tyre ligjorë.
Me këtë marrëveshje do të rregullohen të gjitha procedurat dhe obligimet e mëtejshme që lidhen me shkollat ku nxënësit janë shkolluar deri më tani.


